Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi të hënën një pako të re të ndihmës ushtarake në vlerë 2.5 miliardë dollarë për Ukrainën.
Biden është duke i përdorur javët e fundit në presidencë për ta rritur mbështetjen ushtarake për Kievin, para se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ta marrë detyrën më 20 janar.
“Nën drejtimin tim, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë pandërprerë për ta forcuar qëndrimin e Ukrainës në këtë luftë përgjatë kohës sime të mbetur në detyrë”, tha Biden në një komunikatë.
Ndihma e re përfshin ndihmë ushtarake prej 1.25 miliard dollarësh nga rezervat amerikane dhe një paketë prej 1.22 miliard dollarësh nga Iniciativa për Ndihmë të Sigurisë për Ukrainën (USAI). Kjo është paketa e fundit nga USAI nga administrata e Bidenit.
Sipas USAI, pajisjet ushtarake blihen nga industria e mbrojtjes apo partnerët, pra nuk merren nga rezervat amerikane, që nënkupton se nevojiten muaj apo vite që ato të mbërrijnë në fushëbetejë.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia po hyn në vitin e tretë dhe kohët e fundit ushtria ruse ka përdorur trupa koreanoveriorë për t’i forcuar pozitat e saj luftarake.
Forcat koreanoveriore po përjetojnë humbje të mëdha në vijat e frontit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasi 1.000 ushtarë të saj janë vrarë ose të plagosur vetëm në javën e fundit në rajonin Kursk të Rusisë, tha të premten zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Në një komunikatë, Biden tha se ndihma e re do t’i ofrojë Ukrainës “një fluks të menjëhershëm armësh që ajo po i përdor me ndikim të madh në fushën e betejës dhe furnizime afatgjate për mbrojtjen ajrore, artilerinë dhe sisteme të tjera të armëve vendimtare”.
Prej fillimit të luftës më 2022, Uashingtoni e ka ndihmuar Ukrainën me 175 miliardë dollarë në përgjithësi, por tani nuk është e sigurt nëse kjo mbështetje do të vazhdojë me këtë ritëm nën udhëheqjen e Trumpit, i cili do të zëvendësojë Bidenin më 20 janar.
Trump ka thënë se dëshiron ta përfundojë luftën shpejt. Gjatë fushatës elektorale presidenciale, Trump e ka vënë në pikëpyetje nivelin e përfshirjes së SHBA-së në konflikt, duke lënë të kuptohet se aleatët evropianë duhet ta bartin më shumë barrën e ndihmës financiare./rel
Çudi nga Portugalia, vijat e bardha të fushës u vizatuan me ...
Gjykata Speciale edhe këtë javë në pushim, seancat fillojnë ...
10 këshilla që ju duhen në jetë
Si të përdorni teknologjinë për të përmirësuar shëndetin?
“Ti ke dashtë me m’puthë!”- Tensionohet situata mes Drilonit...
66 aksidente ndodhën javën e kaluar në rajonin e Ferizajt, n...