Google ADS

Arrestohet gjenerali i Assad, përgjegjës për dhënien e mijëra dënimeve me vdekje

11:52 | 28 Dhjetor 2024
K.B

Qeveria e re siriane ka arrestuar një oficer të lartë ushtarak, përgjegjës për dhënien e mijëra dënimeve me vdekje në burgun famëkeq Sednaja, gjatë regjimit të ish-liderit Bashar al Assad.

Lajmin e bëri të ditur Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Londër, sipas të cilit gjenerali Al Hassan u arrestua bashkë me 20 persona të tjerë pas përleshjeve të armatosura që shpërthyen në provincën bregdetare siriane Tartus, mes trupave të reja të sigurisë dhe atyre besnike të Al Assad që synonin ta mbronin.

14 persona mbetën të vrarë gjatë luftimeve, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme siriane. Gjenerali Al Hassan është oficeri me gradën më të lartë që arrestohet që kur rebelët e fraksionit Hayat Tahrir al Sham, HTS, udhëhoqën një ofensivë që rrëzoi regjimin e familjes Assad më herët gjatë muajit.

Në 2023-shin, Al Hassan u sanksionua nga qeveria britanike për shtypje të popullsisë civile në Siri. sipas Observatorit sirian, ai ishte përgjegjës për një seri krimesh që kryheshin në burgun Sednaja, ku mbaheshin të burgosurit politikë dhe kritikët e regjimit të Bashar al Assad, të cilët torturoheshin në mënyrë çnjerëzore.

Al Hassan udhëhoqi gjykatën ushtarake siriane nga viti 2011 në 2014, gjatë 3 viteve të para të luftës, dhe më pas u promovua si kryetar i sistemit të drejtësisë ushtarake të vendit.

Organizatat joqeveritare deklarojnë se ai dënoi me vdekje disa mijëra njerëz gjatë mbajtjes së detyrës, si dhe u zhvati rreth 143 milionë euro familjarëve të të burgosurve në këmbim të informacioneve mbi fatin e tyre./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme