Kushtetuesja konstaton se Kuvendi nuk bëri shkelje në shkarkimin e Agron Bekës

14:12 | 26 Dhjetor 2024
E.K

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur vendimin e saj në lidhje me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Kërkesa ishte parashtruar nga deputeti Abelard Tahiri dhe 9 deputetë të tjerë të Kuvendit, të cilët pretendonin se vendimi i Kuvendit ishte në kundërshtim me disa dispozita të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar njëzëri se Vendimi i Kuvendit, i datës 15 dhjetor 2023, për shkarkimin e Bekës, nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur përkitazi me kërkesën në rastin KO283/23, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-668] të 15 dhjetorit 2023 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të lartcekur të Kuvendit është parashtruar në Gjykatë nga Abelard Tahiri dhe nëntë (9) deputetë tjerë të Kuvendit të Kosovës, bazuar në autorizimet e përcaktuara në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjykata, ka vendosur, njëzëri, që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) të konstatojë se Vendimi [nr. 08-V-668] i 15 dhjetorit 2023 i Kuvendit, nuk është në kundërshtim me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] si dhe paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Të ngjashme