Google ADS

Kamberi: Qeveria e Kosovës tregon përkushtim të jashtëzakonshëm për shqiptarët e Luginës

15:35 | 25 Dhjetor 2024
E.K

Deputeti shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi, ka vlerësuar vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, për ndarjen e 1,108,529 eurove për mbështetje të familjeve shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci që merren me bujqësi.

Kamberi theksoi se ky akt është një dëshmi e qartë e përkushtimit të Qeverisë së Kosovës për të përmirësuar jetesën e qytetarëve të Luginës.

Postimi i plotë:

Qeveria e Kosovës ka treguar sot përkushtimin e saj të jashtëzakonshëm për mbështetjen e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Në mbledhjen e saj elektronike, janë miratuar vendime me rëndësi jetike për shqiptarët e Luginës.

Janë ndarë 1,108,529 Euro për Luginën.

Mbështetje prej rreth 1 milion euro për familjet shqiptare që merren me bujqësi! Ky financim do të ndihmojë qindra familje të forcojnë ekonominë e tyre bujqësore, duke siguruar stabilitet dhe zhvillim për komunitetet tona.

Përkrahje prej rreth 108.529 euro për socializimin dhe avancimin e fëmijëve me nevoja të veçanta! Një tjetër hap madhor që reflekton vëmendjen për çdo shtresë të shoqërisë tonë, duke përfshirë më të ndjeshmit.

Ky akt është një dëshmi e qartë se si ndihma konkrete mund të shndërrojë jetën e qytetarëve tanë. Mirënjohje për Qeverinë e Kosovës dhe për përpjekjet e vazhdueshme për ta kthyer kujdesin në veprime konkrete për shqiptarët e Luginës!

Ne mbetemi të palëkundur në përpjekjet tona për të garantuar mirëqenien dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës!/Arbresh.info

Të ngjashme