Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët në objektin e Qeverisë

18:25 | 24 Dhjetor 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e tij që ta jap deklaratën për Prokurorinë Speciale në Kryeministri.

Në një konferencë për media, Kurti tha se ka pas edhe më herët raste kur prokuroria ka intervistuar kryeministra të vendit në objektin e Qeverisë së Kosovës, kur kishin ftesa.

“Ekziston komunikimi mes kryeministrisë dhe prokurorisë edhe t’u them të drejtën nuk mund të merrem paradite dhe pasdite, pra për ditë me këtë çështje. Unë do të merrem kur të vijnë të më intervistojnë në kryeministri si dëshmitar, jam i hapur, jam i gatshëm, i vullnetshëm dhe i interesuar që në kryeministri ta jap deklaratën siç kanë kërkuar. Meqenëse kjo gjë është bërë edhe në të kaluarën, e ekzistojnë konfirmimet për këtë edhe në kryeministri i di edhe vet prokuroria, atëherë kam ofruar disa orare kur kjo do të mund të bëhej”, tha Kurti.

“Po pres që me këtë çështje të merrem pikërisht duke dëshmuar, e jo duke deklaruar mbi dëshminë e cila nuk po ndodhë. Prokuroria e di shumë mirë se për çfarë raste bëhet fjalë, t’u them të drejtën datat dhe rastet nuk i kam shumë të qarta, por këshilltarët e mi ligjor dhe Ministria e Drejtësisë i dinë të gjitha më mirë. Edhe prokuroria e di më mirë se të gjithë ne së bashku se ka pasë raste në të kaluarën, kur nga prokuroria e shtetit kanë ardhur për të intervistuar kryeministra në Qeverinë e Kosovës. Unë besoj se prej kësaj praktike nuk do të duhet të ndalemi”, ka thënë Kurti./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme