Policia e Kosovës rritë masat e sigurisë në prag të festës Krishtlindjes dhe Vitit të Ri

15:00 | 24 Dhjetor 2024
L G

Në prag të festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë në vend, duke rritur numrin e pjesëtarëve të policisë në terren.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media, raporton Arbresh.info.

“Policia e Kosovës, me qëllim të ofrimit të një klime sa më të sigurt dhe të qetë, bazuar në detyrat e saj të cilat burojnë nga autorizimet e saj ligjore, ashtu sikurse edhe në të kaluarën përgjatë viteve paraprake, do të sigurohet që të vejë në funksion të gjithë mekanizmat e saj, në mënyrë që në aspektin e rendit dhe sigurisë publike, festat e fundvitit të kalojnë qetë dhe pa incidente. Me qëllim të menaxhimit të situatës së sigurisë gjatë kësaj periudhe, Policia e Kosovës ka hartuar planin operativ “Fundviti – 2024 dhe fillimi i 2025”, ku përmes këtij plani është paraparë angazhim i personelit shtesë të PK-së, me shtim të prezencës policore në rrugë dhe në ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim më të madh të qytetarëve dhe kësisoj do të bëhet i mundur parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovë, bënë të ditur se ka paraparë ndërmarrjen e masave parandaluese me shtim të prezencës policore në gjithë Republikën e Kosovës, përfshirë edhe zonat e ndjeshme, posaçërisht në ato lokacione me popullatë të përzier, përveç kësaj ka paraparë edhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimin e dukurive negative që mund të shkaktojnë jostabilitet në çfarëdo mase që e rrezikon rendin, qetësinë dhe sigurinë publike.

“Në kuadër të këtij plani operativ do të ketë shtim të vigjilencës dhe prezencës së njësive të ndryshme policore në rrugë, me qëllim që të mbikëqyret trafiku rrugor në mënyrë që të ndikohet në parandalimin e aksidenteve rrugore si dhe të incidenteve të mundshme në trafik, njëkohësisht apelon që përgjatë frekuentimit të trafikut rrugor të respektohen të gjitha dispozitat ligjore, shenjat e trafikut, t’iu përmbahemi kushteve të rrugës, e në veçanti të mos drejtohen automjetet nën ndikim të alkoolit”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët, e në veçanti tek prindërit/kujdestarët, që të jenë të vëmendshëm në parandalimin e përdorimit të parregullt të mjeteve piroteknike (mjete plasëse-fishekzjarre) nga fëmijët, me qëllim që të shmanget rreziku që mund të shkaktohet nga këto mjete ngase përdorimi joadekuat i tyre mund të sjellë pasoja të rënda.

Policia e Kosovës zotohet se do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore përkatëse, kudo që vëren se janë përdorur armë apo mjete tjera të kundërligjshme që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve. /Arbresh.info/

Të ngjashme