Google ADS

Moscertifikimi i Listës Serbe, Vuçiç: Kurti po përpiqet t’i asgjësojë kundërshtarët politikë

15:49 | 23 Dhjetor 2024
L G

Pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka pretenduar se kryeministri kosovar Albin Kurti, po përpiqet “të asgjësojë kundërshtarët politikë”.

“Albin Kurti tani po përpiqet të asgjësojë një kundërshtar të vetëm politik në Kosovë që është Lista Serbe. Kurti me ndihmën e aleatëve të tij dëshiron ta shfaros popullin serb nga Kosova. Gjithashtu, pres që në shtatë ditët e ardhshme të manifestohen sanksionet amerikane ndaj NIS”, ka shkruar ai në Facebook.

“Kur kësaj i shtohen sulmet e frikshme të grupeve të ndryshme të presionit të brendshëm, është e qartë për të gjithë se qëllimi përfundimtar është kolapsi i Serbisë. Serbinë nuk ia japim askujt dhe Serbia nuk ndalet. Nuk ka dorëzim”, ka shtuar kreu i shtetit serb.

Paraprakisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, të cilat janë caktuar të mbahen më 9 shkurt 2025. Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet kanë kundërshtuar certifikimin e kësaj partie nën argumentin se ajo është kundër shtetit të Kosovës.

Disa prej arsyeve për moscertifikimin e forcës kryesore politike të serbëve janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të saj, Zllatan Ellek, gjatë prezantimit të listës së kandidatëve për zgjedhjet e shkurtit, krahas mirëmbajtjes së kontakteve me terroristin serb, Millan Radoiçiç, i cili kërkohet nga organet e drejtësisë në Kosovë.

Për certifikimin e kësaj partie kontraverse ka votuar vetëm kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kundër janë shprehur dy anëtarët e LVV-së në pushtet, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, duke përmendur thirrjet e krerëve të Listës Serbe kundër Kosovës, ndërsa të tjerët kanë abstenuar, përfshirë përfaqësuesit e partive opozitare në KQZ./Arbresh.info/

LEXO EDHE

KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit

Të ngjashme