Google ADS

Çeku: Gjatë luftës, Serbia shkatërroi afër 1 mijë e 800 monumente të trashëgimisë kulturore të Kosovës

14:15 | 23 Dhjetor 2024
E.G

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkë me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku  kanë mbajtur konferencë për media për punën dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës në drejtësinë tranzicionale dhe adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Çeku ka thënë se kuadër të angazhimeve, siç u shpreh ai, disa nga veprimet kanë synuar dokumentimin, prezantimin dhe siç tha ai, muzealizimin e krimeve të luftës.

Ai gjithashtu u shpreh se është themeluar edhe një grup punues për dokumentimin e shkatërrimit të qëllimshëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës, gjatë luftës.

“Në kuadër të angazhimeve të qeverisë, disa nga veprimet kanë synuar dokumentimin, prezantimin dhe muzealizimin e krimeve të luftës, jo vetëm të luftës së fundit, por edhe të periudhave paraprake dhe në këtë drejtim tashmë jemi në fazën e hartimit të master-planit, pra të projektit të madh për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, që ka për synim shndërrimin e gjithë asaj hapësire në një muze të hapur, ku dokumentohet njëra ndër betejat më të lavdishme, mbase më e lavdishmja e luftës së UÇK-së, Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai,

“Në kuadër të qeverisë është themeluar edhe një grup punues për dokumentimin e shkatërrimit të qëllimshëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës, gjatë luftës në vitet 98 dhe 99”, u shpreh ministri.

Ministri Çeku u shpreh se grup është i përbërë nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe i cili e ka përfunduar raportin që ia ka dorëzuar Insistutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës.

Ai gjithashtu u shpreh se në këtë raport është konstatuar se gjatë luftës, në mënyrë të qëllimshme, Serbia ka shkatërruar afër 1 mijë e 800 monumente të trashëgimisë kulturore të Kosovës.

“Në këtë raport të këtij grupi punues është konstatuar se gjatë luftës, në mënyrë të qëllimshme, Serbia ka shkatërruar afër 1 mijë e 800 monumente të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Ka grabitur mbi 3 mijë e 700 artefakte, objekte muzeale, nga koleksioni publik muzeal i Kosovës. Ka grabitur dokumentacionin zyrtar të monumenteve, me qindra mijëra dosje dhe file të tjerë, pjesë të këtyre dosjeve. Ka shkatërruar 175 bibloteka publike dhe rreth 1.7 milion libra shqip si dhe ka dëmtuar, shkatërruar ose grabitur qindra vepra të artit”, shtoi ai.

“Ky raport i dorëzuar në Insistutin për Dokumentimin e Krimeve të Luftës tashmë përbën edhe një kontribut për angazhimin e këtij instituti”, u shpreh tutje ai.

Të ngjashme