Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha SHBA-ja “nuk sheh asnjë provë që do të çonte në Beograd” kur bëhet fjalë për atë se kush qëndron pas sulmit në kanalin e furnizimit me ujë, Ibër-Lepenc, në veri të Kosovës.
“Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë”, tha Hill në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, RTS.
Në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, në Zubin Potok, më 29 nëntor ka ndodhur një shpërthim, i cili ka dëmtuar kanalin e Ibër-Lepencit, i cili furnizon me ujë disa qytete, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve.
Hill shtoi se është mirë që Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI) po e mbështet hetimin dhe se kjo flet për mungesën e besimit dhe një “prirje drejt akuzave të ndërsjella”.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sulmi është kryer me deri në 20 kilogramë eksploziv.
Kosova fajësoi Serbinë për këtë sulm, të cilin Beogradi zyrtar e hodhi poshtë.
Në ditët pas sulmit, autoritetet e Kosovës kryen disa aksione në veri, gjatë së cilave konfiskuan armë, municione e pajisje të tjera ushtarake. Nga dhjetë të shoqëruar në polici si të dyshuar për përfshirje në sulm, dy u dërguan në paraburgim për një muaj.
Për autoritetet e Kosovës ky ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/’99, dhe që dëmet shkojnë në rreth 400.000 euro.
Sulmi u dënua ashpër nga SHBA-ja dhe shtete të Bashkimit Evropian./rel
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...