Google ADS

Kusari-Lila rrëfehet për kancerin e gjirit: E zbulova krejt rastësisht

14:18 | 22 Dhjetor 2024
E.G

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka treguar historinë e saj me kancer të gjirit.

Në emisionin “Sol” të Klan Kosova, Kusari-Lila u rrëfye se si e kuptoi që ka kancer të gjirit, si e kaloi këtë sfidë, si u përballë me të e shumë detaje të tjera, transmeton Klankosova.tv.

“Ndoshta është pjesë e karakterit, por tjetra është që gjithashtu jam me fat për arsye se edhe në këtë sfidën e fundit, shumë private, shëndetësore, por të cilën unë prapë desha ta bëjë kauzë për të gjitha ato gra dhe burra që ballafaqohen me sëmundjen e kancerit, që sadopak të mundohem ta heq stigmën, por gjithashtu edhe frikën e perceptimin se kjo mund të jetë fundi”, tha deputetja.

“Unë sëmundjen, gjegjësisht shfaqjen e kancerit e kam zbuluar krejt rastësisht, gjatë kontrollit rutinor, pra nuk kam pasur shenja, nuk kam pasur indikacione, nuk kam pasur mungesë të energjisë, por edhe faza në të cilën e kam zbuluar është shumë e hershme. Unë nga fillimi jam ndje shumë e siguruar edhe nga informacioni, por edhe nga diagnoza e mjekëve tanë. Në të njëjtën kohë e di që në aspektin psikik ku shumica e njerëzve e marrin si, ndoshta paralajmërim të vdekjes, dhe shpeshherë fillon përveç se ndjenja e humbjes, gjithashtu edhe paniku e mandej edhe dorëzimi, ku as paniku e as dorëzimi nuk janë karakteristika të mia”.

Kusari-Lila po ashtu tregoi se për shkak të angazhimeve të saj në Kuvendin e Kosovës, kishte në pikëpyetje se kur ta bënte operimin, sa shkoi ta pyeste edhe kryetarin e këtij institucioni, Glauk Konjufcën.

“Kur më kanë treguar se kur mund të bëhet operimi, kam marr agjendën e orareve dhe kam shkuar të kryetari i Kuvendit dhe i kam thënë, ‘kryetar qysh po ia bëjmë për buxhet se këto data i kom, kah’. Ai mbeti pa fjalë”, u shpreh Kusari-Lila.

Të ngjashme