Google ADS

Starlink në Kosovë, Kurti: Një hap i madh për infrastrukturën digjitale

09:19 | 22 Dhjetor 2024
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur lajmin e fillimit të shërbimeve cilësore të internetit në vendin tonë, nga kompania Starlink e miliarderit Elon Musk.

Me anë të një postimi në Facebook ka shkruar se ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale, shkruan Arbresh.info.

“Pas lëshimit të autorizimit nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Starlink ka filluar shërbimet satelitore të qasjes në internet edhe në Kosovë. Ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për qasjen në internet në çdo lokacion e cep të territorit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Tutje ai tha se Starlink është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve të tjera të emergjencave kombëtare.

Shërbimet e kësaj kompanie në Kosovë i ka konfirmuar vetë Musk në një postim në X, ku shkroi shkurt: “Starlink në Kosovë”.

Të ngjashme