Atentat me armë zjarri në Vlorë -Plagosen 2 persona, njëri prej tyre në gjendje të rëndë

23:04 | 18 Dhjetor 2024
E.G

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Vlorës në lagjen “Çole” të këtij qyteti.

Sipas korrespondentes së Radio Televizionit Shqiptar, Afrovita Hysaj raportohet se 2 persona kanë mbetur të plagosur nga një breshëri plumbash ndaj një makine, ku njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë.

I plagosuri i dytë mësohet se është shitësi i fruta-perimeve nga një dyqan aty pranë.

Ndërkaq, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, ndërsa Panaja është gjetur i djegur një automjet që dyshohet se u përket autorëve të sulmit me armë.

“Mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:30, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi K. H., rreth 30 vjeç, i cili udhëtonte me një automjet tip “Benz”. Si pasojë e të shtënave, është plagosur me armë zjarri edhe shtetasi A. S., 35 vjeç, i cili ndodhej në afërsi në momentin e ngjarjes.

Të dy personat janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Gjatë krehjes së zonës në afërsi të fshatit Panaja, është bërë i mundur lokalizimi i automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, i cili është përfshirë nga flakët. Po punohet për shuarjen e zjarrit.

Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve të dyshuar.

Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

/rtsh.al/

Të ngjashme