Adresimi i Kurtit në mbledhjen e 238-të të Qeverisë

14:13 | 18 Dhjetor 2024
K.B

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 238-të me radhë.

Në këtë mbeldhje, kryeministri i vendit Albin Kurti foli për vendimin që morë në mbledhjen e 237-të të Qeverisë me të cilin shtetasit e Bosnje dhe Hercegovinës do të mund të udhëtojnë me letërnjoftim drejt Republikës së Kosovës.

“Ky vendim i yni do të rrisë lidhjet ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe Bosnjës, do të shtojë mundësitë për bashkëpunim ndërmjet tyre dhe do të nxisë shkëmbimet e studentëve, ndërmarrësve, sportistëve, artistëve e profesionistëve të të dy vendeve.
Veçanërisht më gëzon fakti që nga ky lehtësim do të përfitojnë shqiptarët në Bosnje që kanë familje dhe farefis në Kosovë dhe boshnjakët në Kosovë që mund të mirëpresin familjarët dhe farefisin e tyre nga Bosnja. Rreth 12 mijë shqiptarë jetojnë në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërkaq rreth 27 mijë boshnjakë jetojnë në Kosovë. Nga 1 janari 2025, Kosova do të jetë vendtakimi i tyre, andaj edhe ne do t’i mirëpresim përzemërsisht”, tha Kurti.

Adresimi i plotë i Kurtit në mbledhjen e Qeverisë:

E për bashkatdhetarët tanë, në çdo cep të botës që janë, kanë mbetur vetëm tetë ditë deri në përmbylljen e afatit për regjistrim për votim jashtë vendit, përkatësisht deri më 26 dhjetor. Pra vetëm deri më 26 dhjetor dhe mos e lini ditën e fundit.

Po i drejtohem mërgatës sonë nga mbledhja e qeverisë, sepse vota e tyre ka qenë përcaktuese për përbërjen e kësaj qeverie, siç ka qenë edhe kontributi i saj përcaktuese për fatin e mirëqenien vendit tonë ndër vite.

Me qeverinë tonë, për herë të parë, mërgata jonë do të kenë mundësi që të votojë në ambasada e konsullata në shtetet ku jetojnë bashkatdhetarët. Kjo është bërë e mundur sepse e kemi ndryshuar ligjin siç edhe u kemi pas premtuar.

Votimi përmes postës brenda vendit dhe në ambasada e konsullata është një fitore e madhe për mërgatën tonë punëtore e patriotike dhe për shtetin tonë demokratik e të pavarur, si dhe një nga arritjet kryesore të qeverisë sonë në shërbim të mërgatës.

E drejta e votës është e drejtë e garantuar me kushtetutë. Deri më tani, padrejtësisht mërgata jonë në vazhdimësi është ballafaquar me vështirësi burokratike dhe barrë financiare; që herë ua ka pamundësuar votimin e herë e ka dekurajuar pjesëmarrjen në votim. Në këto zgjedhje që po na presin, votimi nuk ka qenë asnjëherë më i lehtë e më i thjeshtë e me më pak kosto. Do jenë gjithsej 22 kuti postare në 22 shtete të ndryshme, kurse votimi fizik do të organizohet në 35 përfaqësi diplomatike dhe konsullore në 22 shtete. Me lehtë e me thjeshtë e më mirë nuk ka qenë asnjëherë.

Regjistrimi në faqen e KQZ-së nuk merr më shumë se pesë minuta kohë. Aq merr kohë edhe votimi me postë. Andaj, të gjithë ju që planifikoni të votoni nga jashtë vendit, ju ftoj edhe një herë, që të regjistroheni sa më parë në diaspora.kqz-ks.org. Sepse pa regjistrim, nuk ka votim. Regjistrimi është parakushti i votimit, por njëkohësisht edhe garancia për të drejtën e votimit, për mundësinë e votimit të dashur bashkatdhetarë.

E kur ju bëheni hisedarë në proceset politike në vend, rritet edhe llogaridhënia dhe përgjegjësia e tyre ndaj jush. Rritet vëmendja ndaj nevojave dhe kërkesave të bashkatdhetarëve, cilësisë së shërbimeve për juve, hapësirës për përfshirjen në vendimmarrje dhe mundësive për t’u kthyer e investuar në vendin tuaj të origjinës.

Kjo është dëshmuar përgjatë gjithë qeverisjes sonë;

– me digjitalizimin e shërbimeve konsullore dhe zgjerimin e tyre në pesë lokacione të reja;

– me uljen e tarifave për shërbimet konsullore;

– me programin për Diplomaci Qytetare për profesionistët e rinj nga diaspora që janë angazhuar në institucionet tona shtetërore;

– me programin “Made in Kosova” për promovimin e produkteve nga Kosova;

– me programin “Java e Kulturës Jashtë Vendit” për promovimin e kulturës sonë në arenën ndërkombëtare;

– me programin “Shijo Kosovën” për të mirëpritur bashkatdhetarët tanë kur vijnë në Kosovë;

– me “Forumin Ndërkombëtar të Ulpianës” për të mësuar dhe shkëmbyer përvoja rreth diplomacisë së diasporës;

– me “Dritaren për Investimet e Diasporës” për të mbështetur bizneset e bashkatdhetarëve që duan të investojnë në Kosovë;

– e shumë aktivitete e nisma tjera përmes së cilave kemi mbajtur komunikimin dhe forcuar lidhjet e mërgatës me vendin tonë.

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, të dashur qytetarë,

Tashmë janë bërë më shumë se një çerek shekulli nga përfundimi i luftës në Kosovë, por ende janë të njoma e të hapura plagë të shumta dhe ende është e rëndë dhimbja e pikëllimi nga vrasjet, masakrat dhe krimet e forcave policore dhe ushtarake të Serbisë, të urdhëruara e të kryera nga shteti i Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës në kuadër të projektit të tyre gjenocidal për shfarosjen e popullit tonë.

E në këtë çerek shekull liri, një brez i tërë janë lindur dhe pas luftës janë rritur. Gjeneratat e reja, duhet të kenë mundësinë e njohjes së të kaluarës sonë, të dëshirës për të jetuar në liri dhe të dashurisë së pareshtur për Kosovën, në kohërat më të vështira e në kushtet më të rrezikshme.

Të gjitha provat dhe dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës nga shteti i Serbisë në Kosovë, të mbledhura nga organizata dhe gjykata ndërkombëtare, nga hulumtues të botës akademike apo të pavarur, bashkë me prova dhe dëshmi të pambledhura deri më tani, tash po grumbullohen dhe po vazhdojnë të sillen në institucionet e Republikës së Kosovës, për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e kujtesës kolektive duke i sistematizuar dhe kategorizuar ato.

Ne po shikojmë prapa në kohë që të ecim edhe më sigurt edhe më shpejtë në të ardhmen evropiane e paqësore, demokratike e prosperuese.

Dje ishim në prezantimin e raportit njëvjeçar të punës së Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovës, i cili brenda këtij viti ka grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit fizik arkivor dhe rreth 15 terabajt material digjital (video, audio dhe foto), që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në vendin tonë.

E pas themelimit të grupit punues për hartimin e konceptit të Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri, sot në mbledhje të Qeverisë kemi vendimin për themelimin e këtij institucioni muzeal. Vendi ynë do të ketë një muze të dinjitetshëm ku do të tregohen krimet e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj popullit tonë.

Ky muze është institucionalizimi i kujtesës sonë kolektive dhe dëshmi sa e krimeve monstruoze të Serbisë gjenocidale aq edhe dëshmi se Republika e Kosovës edhe ka ngadhënjyer edhe nuk harron. Ministri Hajrulla Çeku që do të jetë përkrah ministres Artane Rizvanolli, do të ju njoftoj më shumë rreth këtij vendimi të rëndësishëm pas mbledhjes në konferencën e zakonshme për medie.

Ndërkaq, në rend të ditës sot e kemi edhe kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për të nisur procedurat për ndërtimin e Objektit të Spitalit në Ferizaj, në vlerë prej 27.9 milionë euro. Andaj, pa humbur kohë le t’ia fillojmë mbledhje së 238-të të qeverisë sonë.

Ju falemnderit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme