BE do t’i heqë gradualisht masat, paralelisht me hapat e tjerë të Kosovës

16:04 | 17 Dhjetor 2024
E.H

Këshilli i çështjeve të përgjithshme i BE-së ka miratuar konkluzat për procesin e zgjerimit, ku në kapitullin kushtuar Kosovës porositet se “BE-ja do t’i heqë gradualisht masa paralelisht me hapat tjerë të Kosovës për të depërshkallëzuar tensionet në veri”.

Në konkluza konfirmohet se masat janë të kthyeshme dhe se Këshilli i BE-së do të merret me këtë çështje në kohën e duhur.

Në konkluzat e miratuara i bëhet ftesë Kosovës që të nisë punën në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ashtu që, pa vonesa e me vendim të qeverisë, do e përcjellë draft statutin evropian në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Thirrje e veçantë i bëhet Kosovës e Serbisë që pa vonesa e pa parakushte të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit. BE rikujton gjithashtu se përparimi në dialog është kusht për avancimin e të dyja palëve në proceset e integrimeve evropiane.

Në konkluzat e miratuara, ministrat e BE-së shprehin shqetësimin e thellë për situatën në veri.

Dënohet dhuna atje, përfshirë edhe sulmi i fundit i 29 nëntorit. Gjithashtu përsëritet dënimi i dhunës në pranverë të vitit të kaluar si dhe sulmit në Banjskë. Në këtë rrafsh, Këshilli i BE shpreh keqardhjen e thellë që Serbia nuk ka ndërmarr hapa të mjaftueshëm për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë.

“Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të qëndrueshëm për de eskalim, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokative që mund të qojnë në tensione dhe dhunë, dhe të evitojnë retorikën përçarëse”, thuhet në konkluzat e miratuara.

Këto konkluza të ministrave do t’i mbështetë edhe niveli më i lartë politik i BE-së. Liderët e shteteve anëtare në takimin që do të mbahet më 19 dhjetor./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme