Hamza premton: Pensionet e moshës rriten për 70 për qind

16:01 | 17 Dhjetor 2024
R J

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, ka zhvilluar një takim me pensionistët e Kosovës.

Në një postim në Facebook, ai ka theksuar angazhimin e tij për rritjen e pensioneve.

Hamza ka premtuar një rritje prej 70% për pensionet e moshës, ndërkohë që pensionet kontributdhënëse do të rriten në mënyrë të përshkallëzuar, bazuar në vitet e punës që individët kanë kontribuar. Kjo masë ka si qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për pensionistët në Kosovë.

“Një jetë të tërë punuan për vendin, duke ua bërë rrugën më të lehtë gjeneratave të reja. Një jetë më të rehatshme do ua sigurojmë të gjithë pensionistëve në Kosovë. Pensionet e moshës rriten për 70%. Pensionet kontributdhënëse rriten të përshkallëzuara sipas viteve të punës”, ka shkruar Hamza.

Tutje, ai thotë se qendrat për kujdesin e të moshuarve do të ndërtohen në çdo regjion të Kosovës.

“Qendrat për Kujdesin e të Moshuarve ndërtohen në çdo regjion të Kosovës. Furnizim i sigurt dhe i vazhdueshëm me medikamente për të moshuarit. Kosova mundet ma mirë për të gjithë ata që punuan për të”, ka shkruar Hamza.

Të ngjashme