Google ADS

Prezantohet raporti 1-vjeçar i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë

16:00 | 17 Dhjetor 2024
E.H

Në Ndërtesën e Qeverisë, sot u bë prezantimi i raportit 1-vjeçar të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë që përfshinë dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në adresimin e tij para të pranishmëve, kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se këto materiale po arkivohen për t’i shërbyer kujtesës sonë si popull dhe kërkesës sonë për drejtësi e të cilat do t’u shërbejnë edhe gjeneratave të ardhshme, që të njohin vuajtjet dhe qëndresën e popullit tonë gjatë një periudhe të errët, përcjell Arbresh.info

“Instituti vazhdon bashkëpunimin me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës për të grumbulluar dhe sistematizuar materiale, të cilat dëshmojnë krimet. Metodologjia që po e udhëheq këtë proces përfaqëson qasje gjithëpërfshirëse, me standarde të larta profesionale dhe etike. Gjatë këtij viti janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit fizik arkivor dhe rreth 15 terabajt material digjital, video, audio, foto, që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky informacion, i grumbulluar gjatë kësaj periudhe, është mbledhur nga 67 burime të ndryshme, pra, organizata, institucione, koleksionues, të cilët i kanë dorëzuar dëshmitë që kanë pasur”, tha Kurti.

Ai u shprehu mirënjohje organizatave të shumta e aktivistëve të të drejtave të njeriut, për angazhimin dhe rolin e tyre ndër vite, në punën e palodhshme shumë vjeçare për dokumentimin e krimeve të kryera nga Serbia, si dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Institutin e Historisë, Universitetin e Prishtinës, Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe institucionet të tjera shtetërore për përkrahjen ndaj Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Më tej, ai shtoi se derisa familjet ende kërkojnë eshtrat e të dashurve tyre, Serbia refuzon të kërkojë falje apo madje edhe të pranojë të kaluarën e saj gjenocidale, ndërkohë që pasardhësit politikë të Millosheviqit dhe regjimit të tij që udhëheqin edhe sot e kësaj dite me Serbinë, me mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e dhunës, ringjallin ambiciet e saj ekspansioniste dhe hegjemonike.

“Andaj, për viktimat dhe për të mbijetuarit që ua vranë më të shtrenjtit, ne nuk mund të harrojmë. Në emër të drejtësisë, paqes dhe ruajtjes së vërtetës, ne duhet të kujtojmë: dokumentimi i krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të kryer gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë, është detyrim moral dhe historik për të gjitha gjeneratat. Është premtim për viktimat dhe familjet e tyre se nuk do të harrojmë asnjëri, asnjëherë”, u shpreh ai.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Atdhe Hetemi, tha se Prezantimi i Raportit Vjetor të Punës rikonfirmon përkushtimin tonë për ta ruajtur dialogun dhe për të përfshirë të gjithë akterët relevantë në punën tonë.

“Raporti 1- vjeçar që do të prezantohet sot përmbledhë informata të punës së Institutit nga Nëntori i vitit 2023 deri në Nëntor të vitit 2024 dhe pasqyron përpjekjet tona të përbashkëta për të vendosur themele të forta për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës”, tha ai dhe shtoi se për vitin 2025 prioriteti kryesor mbetet funksionalizimi i plotë i Institutit, intensifikimi i përpjekjeve për grumbullimin e materialeve edhe në shtetet e rajonit, dhe zbatimi i projektit të digjitalizimit./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme