Zakonisht, java para pushimeve dimërore në Bashkimin Evropian është më e ngarkuara, me vendime të mprehta që duhet të merren para përfundimit të vitit.
Kështu ishte edhe vitin e kaluar, kur udhëheqësit e BE-së i dhanë Moldavisë dhe Ukrainës dritën jeshile për të filluar bisedimet e pranimit, i siguruan Gjeorgjisë statusin e vendit kandidat dhe miratuan një paketë sanksionesh kundër Rusisë.
Agjenda e sivjetme para festave duket më e qetë.
Për paketën e re, por më të vogël të sanksioneve kundër Rusisë u ra dakord më 11 dhjetor.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të marrë pjesë në samitin e BE-së më 19 dhjetor, por nuk pritet ndonjë vendim i madh në lidhje me Kievin.
Draft-konkluzionet e fundit të samitit të BE-së, të para nga Radio Evropa e Lirë, konfirmuan “angazhimin e palëkundur të BE-së për të ofruar mbështetje të vazhdueshme politike, financiare, ekonomike, humanitare, ushtarake dhe diplomatike për Ukrainën dhe popullin e saj, për aq kohë sa duhet. Rusia nuk duhet të triumfojë”.
Ka zëra që thonë se Zelensky do t’u bëjë thirrje vendeve anëtare të BE-së që ta rrisin prodhimin e mbrojtjes, mundësisht në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me industrinë e mbrojtjes të Ukrainës, dhe t’i ofrojnë Kievit sisteme të mbrojtjes ajrore dhe kapacitete përgjimi me dronë.
Për Shqipërinë dhe Malin e Zi, gara vazhdon…
Samiti i posaçëm BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, i cili do të mbahet më 18 dhjetor mes udhëheqësve të Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë dhe homologëve të tyre të BE-së, nuk pritet të sjellë ndonjë gjë të veçantë.
Draft-deklarata, e parë nga Radio Evropa e Lirë, nuk përmban elemente të reja. Zyrtarët e BE-së thonë se “arritja” kryesore është kryesisht simbolike – thjesht, e përbërë nga fakti se liderët e rajonit po takohen me zyrtarë të BE-së përpara samitit të rregullt të BE-së.
Gjashtëshja ballkanike ka darkuar me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe me shefen e sapoemëruar të politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, në fillim të dhjetorit.
Ajo ka qenë një shenjë se udhëheqësit e rinj të BE-së do t’i japin prioritet rajonit.
Ditë e rëndësishme, së paku për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, është dita e sotme, kur ministrat e Evropës të vendeve anëtare të BE-së miratojnë konkluzionet vjetore të zgjerimit të BE-së dhe marrin pjesë në disa konferenca ndërqeveritare.
Shqipëria mori pjesë në një nga këto takime, me ç’rast hapi kapituj të rinj të negociatave të anëtarësimit në BE, që lidhen me politikën e jashtme. Tirana i ka nisur në tetor negociatat për pesë kapituj.
Konferenca tjetër ndërqeveritare, e cila u zhvillua më 16 dhjetor, ishte për Malin e Zi.
Mali i Zi i ka hapur negociatat për të 33 kapitujt e politikave, por, për herë të parë që nga viti 2017, Podgorica i ka mbyllur tre kapituj – për shoqërinë e informacionit, politikën industriale dhe pronësinë intelektuale.
Kjo do të thotë se ligjet e BE-së në këto sfera janë përshtatur tashmë në ligjin malazez.
Marrë parasysh se gjatë 12 vjetëve negociata me Brukselin, Mali i Zi ka arritur të mbyllë vetëm tre kapituj të tjerë, ky hap është mjaft domethënës.
Diplomatët e BE-së kanë lënë të kuptohet se Mali i Zi mund t’i bashkohet BE-së këtë dekadë.
…ndërsa Serbia mbetet e bllokuar
Ka pasur një shtysë të madhe që konferenca e tretë ndërqeveritare këtë javë të mbahej me Serbinë, me të cilën do të hapeshin edhe disa kapituj të negociatave.
Kjo shtysë ka ardhur kryesisht nga Budapesti, vendet e mëdha anëtare të BE-së si Franca dhe Italia, si dhe Komisioni Evropian, i cili ka sugjeruar se Beogradi është gati të vazhdojë me integrimin e tij në BE.
Megjithatë, tri shtetet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, e kanë bllokuar procesin, për shkak të mospërputhjes së vazhdueshme të Beogradit me politikën e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.
Çështja e përparimit të Serbisë ka të ngjarë të rishfaqet në gjysmën e parë të vitit 2025 dhe, deri atëherë, mund të lidhet edhe me hapjen e kapitujve të negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë.
Kievi dhe Kishinjevi pritet të fillojnë zyrtarisht procesin e anëtarësimit në BE nën presidencën polake, edhe pse Hungaria ka sinjalizuar se mund të mos e japë pëlqimin e saj për Ukrainën, duke argumentuar se pakica etnike hungareze në këtë vend vazhdon të diskriminohet.
Adresimi i krizës në Gjeorgji
Situata në Gjeorgji do të jetë e dukshme këtë javë.
Draft-konkluzionet e samitit të BE-së për republikën e Kaukazit Jugor janë mjaft të dobëta. Në to thuhet se Këshilli Evropian “përsërit shqetësimet e tij serioze për kursin që ka marrë Qeveria gjeorgjiane, e që bie ndesh me vlerat dhe parimet mbi të cilat është themeluar Bashkimi Evropian”.
Komisioni, gjithashtu, shpreh keqardhje për vendimin e Qeverisë gjeorgjiane për ta pezulluar procesin e anëtarësimit të vendit në BE deri në vitin 2028.
Dhuna kundër gjeorgjianëve që protestojnë ndaj këtij vendimi të Qeverisë, dënohet gjithashtu.
“Autoritetet gjeorgjiane duhet të respektojnë të drejtën e tubimit dhe të shprehjes dhe të përmbahen nga përdorimi i forcës. Të gjitha aktet e dhunës duhet të hetohen dhe përgjegjësit duhet të japin llogari”, thuhet në draft-konkluzione.
Teksti nuk është më i ashpër, sepse Hungaria dhe Sllovakia nuk duan të mbajnë qëndrim të vrazhdë kundër udhëheqjes së Gjeorgjisë, të cilën e shohin si aleate të tyre./rel
Kosova dhe Gjermania nënshkruajnë Marrëveshje bilaterale për...
Petkoviq: Ramë dakord për krijimin e një komisioni të përbas...
Skoci/ Ndalohet përdorimi i WhatsApp nga funksionarët e qeve...
Bislimi jep detaje për arritjen e marrëveshjes për të pagjet...
Japonia përgatitë planin/ Synohet që 50% e energjisë elektri...
Gjermania i dhuron Policisë së Kosovës donacion afro 300 mij...