Organizata Amnesty International tha të hënën se shërbimi i fshehtë dhe policia e Serbisë, kanë përgjuar gazetarët dhe veprimtarët e opozitës, duke instaluar programe spiunazhi në telefonat e tyre celularë.
Raporti i grupit për të drejtat e njeriut, i mbështetur nga dëshmitë e atyre që pretendojnë se telefonat e tyre janë hakuar në muajt e fundit, thotë se programi i përgjimit është përdorur për të zhbllokuar telefonat, për të regjistruar pamje të ekranit dhe për të kopjuar listat e kontakteve, të cilat më pas u ngarkuan në një server të kontrolluar nga qeveria.
Igor Bandoviç, drejtor i Qendrës së Beogradit për Politikat e Sigurisë, tha se raporti është dëshmi se vendi ndodhet në një “burg digjital”.
“Për ne, kjo është dëshmi se Shërbimi Informativ së bashku me Ministrinë e Brendshme kanë përdorur softuer praktikisht për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga qeveria, që do të thotë Organizatat joqeveritare, studentët, veprimtarët dhe tani kemi prova, siç thuhet në raport, se programet e tilla janë përdorur për t’i kompromentuar këta persona, për t’i frikësuar, për t’i ngacmuar, për të shkurtuar protestat dhe gjithçka që po bënin këta njerëz në përpjekje për të luftuar për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në këtë vend”, tha ai.
Raporti me titullin “Një Burg Digjital: Mbikëqyrja dhe Shtypja e Shoqërisë Civile në Serbi” thotë se policia serbe dhe Agjencia e fshehtë përdorën programin për të infektuar pajisjet ndërsa pronarët e tyre ishin të ndaluar ose po merreshin në pyetje nga policia.
“Ky program përdorej zakonisht pasi njerëzit arrestoheshin. Ndërsa ata po merreshin pyetje, telefonat e tyre u hakuan dhe u infektuan. Në krahasim me programet Pegasus dhe Predator që janë mjete shumë më të sofistikuara dhe që mund të aktivizohen nga distanca, në këtë rast duhet të keni kontakt fizik me telefonin e viktimës”, shpjegoi Igor Bandoviç.
Policia e Serbisë tha në një deklaratë se raporti i grupit për të drejtat e njeriut është “absolutisht i pasaktë”, por gjithashtu shtoi se “programi përdoret në të njëjtën mënyrë nga forcat e tjera policore në mbarë botën”.
Agjencia e fshehtë serbe shkroi në faqen e saj të internetit se “punon ekskluzivisht në përputhje me ligjet e Republikës së Serbisë”.
Raporti i Amnesty International u publikua në një kohë kur presidenti serb Aleksandar Vuçiç po përballet me protesta antiqeveritare në rritje që deri më tani kanë qenë kryesisht paqësore, të cilat paraqesin një nga sfidat më të mëdha në më shumë se një dekadë të sundimit të tij gjithnjë e më autokratik.
Protestat e udhëhequra nga studentë universitetesh dhe veprimtarë të opozitës pasuan shembjen e një çatie betoni në një stacion hekurudhor në qytetin e Novi Sadit me 1 nëntor, që la pas vetes 15 të vdekur.
Presidenti Vuçiç i ka akuzuar shërbimet perëndimore të zbulimit, organizatat joqeveritare dhe mediat e huaja për “luftë hibride” kundër tij dhe qeverisë së tij duke financuar ilegalisht protestat./voa/
Çfarë nuk i pëlqeu Gjestit te Xheneta gjatë darkës?
Hapet tregu i gjelave të detit në Baldushk, Veliaj: Konsumon...
Pacolli uron festat e fundvitit: Gëzim dhe harmoni për të gj...
Murati: Do të përkrahim punëtorët e sektorit privat
Helikopteri godet ndërtesën e spitalit në Turqi, konfirmohen...
“Nuk ia ndjen hiç për mua”, Gjesti i acaruar me Xhenetën, te...