Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të përkushtuara drejt integrimit evropian

22:21 | 14 Dhjetor 2024
R J

Në margjina të Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana”, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka zhvilluar një takim dypalësh me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Zoran Dimitrovski.

Bëhet e ditur se zëvendësministrja Gashi e falënderoi homologun e saj për pjesëmarrjen në forum dhe për angazhimin e tij të shtuar në intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ajo theksoi rëndësinë e përbashkët të ndërtimit të platformave dhe projekteve konkrete që promovojnë integrimin e diasporës shqiptare dhe asaj maqedonase në zhvillimin e të të dyja vendeve.

“Të dy zëvendësministrat i vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat janë forcuar më tej përmes nënshkrimit të marrëveshjeve në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive. Gjithashtu, u diskutua për zhvillimin e konsultimeve politike ndërmjet dy Ministrive të Punëve të Jashtme, të planifikuara për vitin e ardhshëm, si një hap tjetër drejt thellimit të bashkëpunimit strategjik”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të MPJD-së.

Gjithashtu, bëhet e ditur se palët theksuan përkushtimin e tyre për ta vazhduar dhe për ta zgjeruar bashkëpunimin, në politikat zhvillimore dhe ndërtimin e mekanizmave për bashkëpunim efektiv në disa fusha./rtk/

Të ngjashme