Sheshet “përrallore” të Prishtinës mbushen përplot çdo natë

17:58 | 13 Dhjetor 2024
R J

Që nga 1 dhjetori kur dritat e festave të fundvitit u ndezën nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, Prishtina ka marr një pamje magjepsëse.

Të gjitha sheshet e kryeqytetit, që nga Sheshi “Ibrahim Rugova”, e deri tek sheshi “Xhorxh Bush” , janë shndërruar në një ambient përrallor që po tërheqin çdo natë numër të madh të vizitorëve.

Këto sheshe janë shndërruar në pjesë argëtimi, jo vetëm për fëmijët e të rinjtë, por për të gjitha moshat pa dallim.

Një ndër magjitë më të dukshme të këtyre festave janë dritat e shumta dhe dekorimet nga më të ndryshmet, të cilat po sjellin një atmosferë të ngrohtë në kryeqytet.

Shtëpizat e shumta që kanë mbushur sheshet që shërbejnë çdo gjë, nga ushqimi deri tek pijet e ndryshme dhe çokollatat e nxehta, ja shtojnë ndjesinë festive këtyre shesheve magjike.

Tash e disa vite,  festat e fundvitit po karakterizohen nga tregu tradicional “Verë n’Dimër”, por kësaj here çdo gjë duket më ndryshe dhe më bukur.

Secili shesh ka stilin e muzikës dhe atmosferën ndryshe nga tjetri. Kështu që varësisht nga shijet, secili qytetarë mund ta gjej vetën.

Ndryshe nga vitet tjera, këtë vit është dhe patinazhi, ku interesimi për të, është mjaft i dukshëm.

Fëmijë dhe të rritur, që të gjithë po shijojnë patinazhin në zemër të Prishtinës.

E për të ndjerë magjinë e festave të fundvitit, patinazhi është një zgjidhje perfektë për të shijuar dimrin dhe për të krijuar kujtime të paharrueshme me miqtë dhe familjen.

Nën frymën festive, nën tingujt e muzikës, sheshet e Prishtinës janë shndërruar në një ambient për të gjithë ata që duan të kalojnë momente të ngrohta në këto netë të ftohta./Arbresh.info/Rita Jakupi/

@arbresh_info

Sheshet “përrallore” të Prishtinës mbushen përplot çdo natë

♬ original sound – arbresh.info – arbresh.info

Të ngjashme