Google ADS

Blinken takon Erdogan

12:40 | 13 Dhjetor 2024
E.K

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u takua në orët e vona të së enjtes me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan për të biseduar mbi vendosjen e stabilitetit në Siri ndërsa forcat kurde të mbështetura nga Uashingtoni luftojnë me rebelët e mbështetur nga Ankaraja në veri të këtij shteti.

Mes dy liderëve nuk pati një konferencë të përbashkët për shtyp, por në një njoftim të presidencës turke thuhet se Blinken dhe Erdogan diskutuan për një Siri në paqe ndërsa kreu i shtetit turk bëri thirrje ndaj komunitetit ndërkombëtar që të punojnë për rindërtimin e Institucioneve Siriane.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se presidenti turk i bëri të qartë kreut të diplomacisë amerikane se Ankaraja nuk do ta ndalë luftën ndaj atyre që ajo i quan organizata terroriste dhe një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Nga ana tjetër Blinken vuri theksin se Shtetet e Bashkura dhe Turqia kanë një interest të pvrbashkët për të mbështetur një tranzicion politik të qetë në Siri me synimin për të vendosur një qeveri të përgjithshme. Si Blinken ashtu edhe Erdogan ranë dakord se lufta kundër Shtetit Islamik dhe rigrupimit të tij nuk duhet ndalur.

Sekretari amerikan i Shtetit vijoi vizitën e tij këtë të premte në Ankara ku u takua me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan. Në një konferencë për shtyp me homologun e tij turk, Blinken u shpreh se përtej fokusit tek nevoja që ekziston për vendosjen e një qeverie të duhur në Siri ata diskutuan edhe mundësinë reale që ekziston tani më për një armëpushim në Rripin e Gazës.

“Siç tha dhe ministri I jashtem Turk ne jemi te fokusuar tek Siria për të lëvizur këtë vend nga prangat e Bashar Al Assad dhe për ti dhënë atij një të ardhme më të mire me një qeveri që respekton minoritetet dhe mbron te drejtat e grave dhe te njeriut ne pergjithesi. Diskutuam edhe për armëpushimin në Gaza ku shohim se Hamas është i gatshëm të pranojë disa kërkesa tejet kritike, duke bërë kështu që së shpejti të mund të kemi një ndalim të luftimeve. I kërkova Turqisë që të përdor ndikimin e saj mbi krerët e Hamas.”, tha Blinken.

Edhe Jake Sullivan, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, i cili udheëtoi drejt Lindjes së Mesme këtë të enjte deklaroi se ky moment mund të sjellë vendosjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës, pasi Hamas është përshtatur me kërkesat e Tel Avivit pasi pa se aleatët e tij rajonal siç janë Irani apo grupi Hezbollah u dobësuan./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme