UP-ja siguron riakreditimin deri në vitin 2030

17:03 | 11 Dhjetor 2024
K.B

Agjencia e Kosovës për Akreditim ka riakredituar Universitetin e Prishtinës për pesë vjetët e ardhshëm. Sipas njoftimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Universiteti i Prishtinës ka siguruar akreditimin deri në vitin 2030.

Nga UP-ja thanë se procesi i riakreditimit të Universitetit të Prishtinës ka nisur më herët gjatë këtij viti, ndërsa më 18 dhe 19 nëntor 2024, një grup ekspertësh ndërkombëtarë dhe zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim vizituan ambientet e universitetit.

“Riakreditimi institucional i Universitetit të Prishtinës është një sukses i madh për rektorin Arben Hajrullahu, prorektorët Albana Berisha-Qehaja, Avni Hajdari, Naim Jerliu, Rozafa Basha, sekretarin Besnik Loxha, përmes të cilit akreditim sigurohet që mekanizmat e cilësisë, marrëdhëniet me jashtë, dekanët, personeli mësimor dhe studentët janë të krahasueshëm me universitetet ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e UP-së.

Gjithashtu, thuhet se në këtë proces kontribuuan edhe ish-menaxhmenti i UP-së, në krye me profesorin Qerim Qerimi.

Kjo konsiderohet edhe si sfida e parë me të cilën u përballë menaxhmenti i UP-së me rektorin e ri që detyrën e mori më 1 tetor të këtij viti e që thuhet se kaloi me sukses.

Universiteti i Prishtinës është institucioni më i vjetër i arsimit të lartë në Kosovë dhe renditet më lart se të gjitha universitetet e tjera në rajon.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme