Google ADS

Lorik Boshnjaku “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës

16:06 | 11 Dhjetor 2024
D.H

Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës”.

Ky çmim për javën e 16-të në Albi Mall Superligë i është ndarë futbollistit të FC Suharekës, Lorik Boshnjakut.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit në përbërje të Agim Maliqit, Blerim Haxhollit dhe Besim Slishanit.

Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e gjashtëmbëdhjetë t’i takojë Lorik Boshnjakut, i cili, përveç se ishte truri i mesfushës në përballje me KF Llapi, shënoi edhe golin e katërt në mënyrë maestrale për skuadrën e tij, duke siguruar fitoren 4:0 dhe duke arkëtuar 3 pikë të reja për FC Suharekën.

Pasi mori këtë çmim, Boshnjaku u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës:

“Ka qenë ndeshja më e fortë e kësaj jave, pavarësisht rezultateve që kemi pasur të dyja ekipet, por kjo u cilësua si ndeshje derbi. Ndeshja doli më e lehtë se sa kishim menduar, megjithatë e rëndësishme ishte të fitonim 3 pikët për të qenë më komodë.

Qëllimi i Suharekës është që të kemi sa më shumë rezultate pozitive, pasi jemi një klub i ri me ambicie të mëdha. Shpresojmë që këtë vit të jemi të paktën në Evropë dhe t’ia shpërblejmë kryesisë mundin dhe organizimin.

Ndjehem i vlerësuar nga Federata e Futbollit dhe dua t’i falënderoj bashkëlojtarët dhe stafin teknik, sepse edhe ata kanë meritat e tyre”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

 

 

Të ngjashme