Avokati i Popullit flet në UP për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

15:22 | 10 Dhjetor 2024
E.K

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Avokati i Popullit, Naim Qelaj mbajti një bashkëbisedim me studentët e fakultetit juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Sipas njoftimit, Avokati i Popullit foli për rëndësinë e kësaj dite duke veçuar procesin e shtet ndërtimit e përcjellë me ngritje të institucioneve për mbrojtje dhe promovim të të drejtave të njeriut.

“Ai u përgjigj në pyetjet e studentëve duke përfshirë rolin dhe mandatin e tij, procesin e trajtimit të ankesave, si dhe për sfidat dhe problemet që ndërlidhen me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se në këtë bashkëbisedim mori pjesë edhe rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, si dhe Florent Muçaj, profesor./rtk

Të ngjashme