Google ADS

SHBA-ja i ndan çmim kreut të SPAK-ut për luftën kundër korrupsionit

11:45 | 10 Dhjetor 2024
E.G

Drejtuesi i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), Altin Dumani, është nderuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si kampion në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, teksa i dorëzoi çmimin Dumanit, e vlerësoi SPAK-un si institucionin më të besueshëm në Shqipëri.

“Kryeprokurori i Posaçëm i Shqipërisë, Altin Dumani, drejton një agjenci të re kombëtare, që ndjek penalisht zyrtarë të lartë dhe drejtues të krimit të organizuar. Sot është institucioni publik më i besuar në Shqipëri”, tha Blinken.

Dumani ishte mes 10 kampionëve kundër korrupsionit nga e gjithë bota që u nderuan të hënën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kemi vendosur sistemin non-grata, për njerëzit problematikë, për ata që kanë bërë korrupsion. Dhe, puna që kanë bërë këta njerëz është e jashtëzakonshme se ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme, sepse kanë dhënë ndryshimin e perceptimit”, u shpreh Blinken gjatë ceremonisë.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë e përgëzoi kreun e SPAK-ut për vlerësimin me Çmimin për Kampionët Kundër Korrupsionit për vitin 2024.

“Ky çmim nderon vendosmërinë, guximin dhe integritetin tuaj të palëkundur në ndjekjen e drejtësisë në emër të popullit shqiptar. Puna juaj frymëzon të gjithë ata që besojnë në fuqinë e së vërtetës dhe llogaridhënies. Ambasada e SHBA-së do të vazhdojë të punojë me ju, me SPAK-un, dhe me të gjitha institucionet e drejtësisë për ta bërë realitet barazinë përpara ligjit për të gjithë qytetarët e Shqipërisë”, theksoi Ambasada amerikane në një postim në rrjetet sociale.

Altin Dumani mori drejtimin e SPAK-ut dy vjet më parë, ndërsa institucioni u ngrit në dhjetor të vitit 2019, pas ndryshimeve kushtetuese që u votuan në vitin 2016.

Para gjyqit kanë dalë disa ish-zyrtarë, ish-ministra e deputetë dhe ata tashmë po vuajnë dënimin. Ndërsa, të tjerë janë në procese gjyqësore, mes tyre edhe ish-presidenti Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-zëvëndëskryeministri Arben Ahmetaj./rel

Të ngjashme