Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në ceremoninë festive të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës në shënim të 10-vjetorit të pranimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Në fjalën e tij, para të pranishmëve të shumtë, në mesin e të cilëve edhe drejtues të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Komitetit Olimpik të Evropës (EOC), Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), kryeministri Kurti e quajti pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar si një moment historik të sportit vendor.
Ai theksoi se ky përvjetor na kujton rrugëtimin tonë, forcën, përkushtimin dhe ëndrrat e shumë sportdashësve që kanë formësuar praninë e Kosovës në arenën sportive globale.
“Gjatë kësaj dekade, Kosova ka arritur atë që dikur dukej e pamundur. Nga njohja ndërkombëtare, në pjesëmarrje e përfaqësim dhe direkt në medalje të artë Olimpike. Histori për Kosovën, e histori edhe për sportin ndërkombëtar, ku një shtet, në debutim të Lojërave, fiton medalje të artë Olimpike”, tha kryeministri, duke shprehur mirënjohjen e thellë për medaljisten tonë të parë Olimpike, të artën Majlinda Kelmendi. Suksesi i saj jo vetëm që e ngriti Kosovën në majat e sportit botëror, por edhe frymëzoi breza të tërë të rinjsh të ëndërrojnë dhe të punojnë drejt madhështisë.
Më tej, ai tha se sukseset e Distrias dhe Norës në Tokio treguan se historia e shkruar nga Majlinda ishte vetëm fillimi. Ndërsa medaljet e Distrias dhe Laurës në Paris, treguan se ky është vazhdimi dhe se ky fillim dhe vazhdim, janë ëndrra e realizuar e Kryemjeshtrit të xhudos, Driton Kuka.
Në tri pjesëmarrje në Lojërat Olimpike, kryemjeshtri Driton Kuka dhe xhudistët Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe Laura Fazliu i sollën Kosovës pesë medalje, prej të cilave tre të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë.
Në këtë 10-vjetor, kryeministri ka falënderuar Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe Komitetin Olimpik Evropian dhe të gjithë strukturën sportive ndërkombëtare për mirëseardhjen që i kanë bërë Kosovës në familjen e sportit botëror.
Veçanërisht falënderoi Presidentin e IOC, Thomas Bach, ndaj të cilët shprehu mirënjohje për kontributin e tij në ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës dhe për praninë e tij në Prishtinë në shënim të këtij përvjetori jubilar.
Një mirënjohje të veçantë shprehu edhe për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjithë komunitetin sportiv të vendit tonë për punën e tyre të palodhur, duke thënë se përkushtimi juaj ka ndërtuar themelet e forta për të ardhmen e sportit tonë të cilit i gëzohemi që të gjithë.
Mirëmbrëma të gjithëve!
Dear President Bach, President Capralos, and President Tizzano, thank you for being true friends to Kosova and it is a great honor to have you here with us in Prishtina tonight.
Jemi mbledhur së bashku për të festuar 10- vjetorin e një momenti historik të sportit vendor, pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Tri Lojëra Olimpike Verore dhe dy Lojëra Olimpike Dimërore. Shumë Kampionate Botërore dhe Evropiane, dhe gara të tjera ku sportistët tanë përgjatë këtyre viteve e bënë krenar një popull të tërë.
Ky përvjetor na kujton rrugëtimin tonë, forcën, përkushtimin dhe ëndrrat e shumë sportdashësve që kanë formësuar praninë e Kosovës në arenën sportive globale.
Gjatë kësaj dekade, Kosova ka arritur atë që dikur dukej e pamundur. Nga njohja ndërkombëtare, në pjesëmarrje e përfaqësim dhe direkt në medalje të artë Olimpike. Histori për Kosovën, e histori edhe për sportin ndërkombëtar, ku një shtet, në debutim të Lojërave, fiton medalje të artë Olimpike.
Më lejoni të shpreh mirënjohjen më të thellë për Kampionen tonë, gruan e guximshme, shqiponjën e maleve të Rugovës, të artën tonë të parë Olimpike, Majlinda Kelmendi.
Suksesi i saj jo vetëm që e ngriti Kosovën në majat e sportit botëror, por edhe frymëzoi breza të tërë të rinjsh të ëndërrojnë dhe të punojnë drejt madhështisë.
Sukseset e Distrias dhe Norës në Tokio treguan se historia e shkruar nga Majlinda ishte vetëm fillimi. Ndërsa medaljet e Distrias dhe Laurës në Paris, treguan se ky është vazhdimi.
Ky fillim dhe vazhdim, janë ëndrra e realizuar e Kryemjeshtrit të xhudos, Driton Kuka. Pra, me tre pjesëmarrje në Lojërat Olimpike, Toni i solli Kosovës pesë medalje.
Këto rezultate përfaqësojnë fuqinë e një shteti të vogël që e sfidon botën përmes punës, disiplinës dhe përkushtimit. Pra, sporti i Kosovës është simbol i vullnetit të pathyeshëm dhe shpirtit të një populli, i cili me dinjitet dhe guxim vazhdon të shkruajë histori në arenën ndërkombëtare.
I jemi thellësisht mirënjohës Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që ka hapur dyert e mundësive për sportistët e Kosovës.
Mr. Bach, your unwavering support has been decisive in giving our athletes the opportunity to represent our country with dignity and pride. Thank you very much. Vielen Dank.
Po ashtu, në këtë 10-vjetor, falënderojmë Komitetin Olimpik Evropian dhe të gjithë strukturën sportive ndërkombëtare për mirëseardhjen që i kanë bërë Kosovës në familjen e sportit botëror.
Një mirënjohje e veçantë shkon për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjithë komunitetin sportiv të vendit tonë për punën e tyre të palodhur. Përkushtimi juaj ka ndërtuar themelet e forta për të ardhmen e sportit tonë të cilit i gëzohemi që të gjithë.
President Bach, recalling December 9, 2014, when under your presidency, Kosova became the newest member of the IOC – today after a decade – we believe that you must also be proud of the support you have provided to the sport of Kosova. On behalf of the people and the government of Kosova, I extend our heartfelt thanks. Your presence here tonight means so much to us.
Duke parë përpara, Kosova është krenare që do të organizojë Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. Kjo ngjarje historike është projekti më i madh sportiv që vendi ynë ka ndërmarrë ndonjëherë, duke reflektuar përkushtimin tonë për të avancuar sportin dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar.
Teksa reflektojmë mbi këtë moment të rëndësishëm, le të vazhdojmë të besojmë në fuqinë e sportit për të bashkuar, frymëzuar dhe transformuar. Sonte, le të festojmë, jo vetëm atë që kemi arritur, por edhe potencialin e pakufishëm që kemi përpara.
Për të gjithë ju që keni kontribuar në këtë rrugëtim, falemnderit përzemërsisht.
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...
Roshi flet për tërhiqjen nga kombëtarja: Nuk u ftova një vit...
Të shtëna me armë zjarri në Durrës
Lista Serbe pasi PZAP ia aprovoi ankesën: Mbetet të shihet n...
PDK-ja formon shtabin qendror zgjedhor
LDK thërret konferencë për media, nuk dihet arsyeja