Prej sot hallkat gjurmuese në këmbën e dhunuesve, Kurti: Dhuna ndaj grave do të luftohet si asnjëherë më parë

09:18 | 10 Dhjetor 2024
R J

Pas prezantimit të projektit për mbikëqyrje elektronike, kryeministri Albin Kurti theksoi se përdorimi i gjurmuesve do të ndihmojë në luftimin e dhunës në familje, duke ofruar mbrojtje më të sigurt dhe efektive për viktimat.

Ai theksoi se ky sistem do të kontribuonte në reduktimin e dhunës në familje, pasi në rastet kur dhunuesi apo i dyshuari afrohet në një zonë të caktuar me viktimën, do të njoftohen menjëherë autoritetet e policisë në nivele lokale dhe qendrore, raporton Arbresh.info.

Pas kësaj, do të merren masa sipas procedurave të parashikuara për ndërhyrje dhe mbrojtje të viktimës. Ky projekt synon një qasje më të avancuar dhe të shpejtë për mbrojtjen e individëve të prekur nga dhuna në familje.

“Ndoqëm demonstrimin që na u prezantua se si funksionojnë hallkat për monitorim elektronik. Hallkat, byzylykët që do të vendosen në dorën ose këmbën e dhunuesit ose të dyshuarit. Në anën tjetër edhe gjurmuesit të cilët do t’i kenë viktimat në mënyrë që ta luftojmë suksesshëm si asnjëherë më parë dhunën në familje. Në rast se do të ketë situata të tilla ku brenda një zone të caktuar viktimës i afrohet i dyshuari ose dhunuesi menjëherë do të lajmërohen të dy nivelet, edhe lokal edhe ai qendror i policisë dhe më pastaj janë procedura standarde për ndërhyrje. Problemet më të mëdha i kemi për shkak se nuk respektohen urdhrat mbrojtës. Defekti nuk është mungesa e hallkave për monitorim elektronik, por mos respektimi i urdhrave mbrojtëse. Kjo do ta reduktoj jashtëzakonisht shumë dhunën në familje”, tha Kurti.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se kjo është një ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave në Kosovë.

“Ne në vazhdimësi kemi thënë se do të ndërmarrim çdo veprim për të mbrojtur jetën e vajzave dhe grave në Kosovë. Kemi ndërmarr shumë veprime. Kjo është një ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave në Kosovë. Dhuna në familje nuk është çështje private është përgjegjësi e institucioneve dhe në këtë rast presim veprime serioze sidomos nga Prokuroria dhe Gjykata. Dënimet e ulëta dhe veprimet me lëshim në procedurë të rregull nga Prokuroria i inkurajon dhunuesit në mënyrë që shteti pra me këto veprime, institucionet e drejtësisë, dhunuesit po i shndërrojnë në vrasës”, tha Haxhiu./Arbresh.info/

Të ngjashme