Në kuadër të javëve të bizneseve, që kanë nisur më 20 nëntor dhe do të përfundojnë më 27 dhjetor me moton “Unë konsumoj produkte vendore, po ju?”, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve për Rrafshin e Dukagjinit, Argjend Fetahu, i shoqëruar nga shefi i kabinetit, Avdi Lala, zhvilloi një vizitë të rëndësishme në Burgun e Dubravës.
Kjo vizitë u realizua me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Aleancës dhe institucioneve korrektuese për të mbështetur konsumimin e produkteve vendore dhe për të promovuar nisma që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, transmeton Arbresh.info
Fetahu dhe Lala u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgut të Dubravës, Sami Gashi, me të cilin diskutuan mbi mundësitë për përfshirjen e të burgosurve dhe stafit të institucionit në konsumimin e produkteve të prodhuara në Kosovë.
“Në këtë burg ndodhen rreth 800 të burgosur dhe 650 anëtarë të stafit, të cilët mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në mbështetjen e ekonomisë vendore përmes konsumit të këtyre produkteve. Një temë kyçe e takimit ishte edhe iniciativa për hapjen e fabrikave prodhuese brenda hapësirave të Burgut të Dubravës. Këto fabrika synojnë të përfshijnë të burgosurit në aktivitete prodhuese, duke mundësuar rehabilitimin e tyre përmes angazhimit në punë dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit. Ky angazhim jo vetëm që do të reduktonte papunësinë brenda sistemit korrektues, por gjithashtu do të kishte një ndikim pozitiv në procesin e riintegrimit të të burgosurve pas përfundimit të dënimit”, thuhet në njoftim.
Në shenjë vlerësimi për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tij në përkrahjen e iniciativave ekonomike dhe sociale, Fetahu ndau një mirënjohje për Gashin.
Kjo mirënjohje simbolizon rëndësinë e ndërlidhjes ndërmjet institucioneve dhe sektorit të biznesit për të krijuar një mjedis që mbështet zhvillimin dhe solidaritetin shoqëror.
Fetahu theksoi se kjo vizitë është vetëm fillimi i një sërë aktivitetesh dhe bashkëpunimesh që do të fokusohen në fuqizimin e konsumit vendor dhe përmirësimin e kushteve për zhvillimin e prodhuesve lokalë.
Ai u zotua për një angazhim të vazhdueshëm në implementimin e pikave të diskutuara, duke përfshirë edhe nënshkrimin e memorandumeve të bashkëpunimit me Burgun e Dubravës./Arbresh.info
Së paku 16 të lënduar pasi një raketë e hedhur prej Jemenit ...
Kosova e Shqipëria nënshkruajnë Marrëveshje për Sigurinë Ush...
Guardiola tregon se a do të përforcohen gjatë afatit kalimta...
Dështon “premtimi” për 30 autobusë të rinj në vitin 2024, sh...
Çfarë dihet deri më tani për sulmin në Magdeburg?
Në dy raste të ndara policia arreston dy persona për armëmba...