Google ADS

BE ofruesi më i madh i ndihmës financiare për Shqipërinë, mbi 500 milionë euro vetëm në 2021-2024

13:36 | 9 Dhjetor 2024
E.G

Bashkimi Europian është ofruesi më i madh i ndihmës financiare për Shqipërinë. Ndërsa deklaron këtë fakt, shërbimi i publikimeve të Unionit kujton se vetëm në vitet 2021-2024 Shqipëria ka përfituar mbi 500 milionë euro ndihmë financiare dhe teknike në kuadër të IPA III.

Publikimi i përditësuar i fillimit të dhjetorit tregon se ndihma në formë granti i pakthyeshëm i takon Paketës së mbështetjes për energjinë dhe saktësisht 80 milionë euro. Mbi 30 milionë euro kanë qenë mbështetje për përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimin e ekonomisë qarkulluese, gjithëpërfshirëse dhe gjinore si dhe rritjes së gjelbër të qëndrueshme në Shqipëri.

Brenda të njëjtës mbështetje Bashkimi Europian saktëson fondin prej 115 milionë euro për rehabilitimin, ndërtimin e shkollave dhe objekteve kulturore pas tërmetit të 2019-s. Ndërkohë Plani Ekonomik i Investimeve për Ballkanin Perëndimor identifikon 10 investime kryesore në transportin e qëndrueshëm, energjinë e pastër, mjedisin, klimën, të ardhmen dixhitale, kapitalin njerëzor dhe sektorin privat. Qëllimi ishte mbështetja e tranzicionit të gjelbër dixhital si dhe sjellja e rajonit më pranë tregut të përbashkët të BE-së.

Për projektet në Shqipëri, Bashkimi Europian sjell në vëmendje se që nga viti 2020 ka mobilizuar 1.4. miliardë euro, falë 600 milionë eurove grante po prej tij. Fondet mblidhen përmes instrumenteve të tillë si korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Bilanci i këtyre shifrave po sipas BE-së është aktualisht ndërtimi së bashku i kapaciteteve të gjenerimit të energjisë së rinovueshme 713 MW, instalimi i 185 linjave hekurudhore të rehabilituara, shërbime të përmirësuar uji dhe kanalizimesh për mbi 975 mijë banore/rtsh.al

Të ngjashme