Presidenti i Sirisë, Bashar al Assad, që me grusht të hekurt i shtypi kundërshtarët e tij, nuk arriti kurrë t’i shkatërrojë plotësisht rebelët sirianë, të cilët u kthyen në një ofensivë të rrufeshme për ta rrëzuar atë.
Bashar al-Assad, i Sirisë, përdori fuqinë e zjarrit rus dhe iranian për të luftuar forcat rebele gjatë viteve të luftës civile, por kurrë nuk i mposhti ata, duke mbetur i pambrojtur ndaj përparimit të tyre befasues, kur aleatët e tij u hutuan nga luftërat tjera.
Assad, në pushtet qe 24 vite, fluturoi nga Damasku për një destinacion të panjohur, herët të dielën, ndërsa rebelët e shpallën kryeqytetin të lirë nga regjimi i tij, duke i dhënë fund sundimit gjysëmshekullor të familjes Assad.
Statujat e babait dhe të vëllait të Asadit u rrëzuan në qytetet e marra nga rebelët, ndërsa fotografitë e tij në tabela dhe zyrat qeveritare u shkatërruan.
Assad u bë president në vitin 2000, pasi vdiq babai i tij Hafezi, duke ruajtur sundimin e hekurt të familjes dhe dominimin e sektit të tyre alavit në vendin me shumicë myslimane sunite dhe statusin e Sirisë, si një aleat iranian, armiqësor ndaj Izraelit dhe SHBA-së.
I formuar në vitet e para nga lufta në Irak dhe kriza në Liban, sundimi i Asadit u përcaktua nga lufta civile, e cila doli nga ‘Pranvera Arabe’ e vitit 2011, kur sirianët që kërkonin demokraci dolën në rrugë.
I quajtur një “kafshë” në vitin 2018 nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për përdorimin e armëve kimike – një akuzë që ai e mohoi – Assad ia kaloi shumë prej liderëve të huaj që besonin se vdekja e tij ishte e afërt në ditët e para të konfliktit, kur humbi një pjesë të Sirisë nga rebelët.
I ndihmuar nga sulmet ajrore ruse dhe milicitë e mbështetur nga Irani, ai riktheu pjesën më të madhe të territorit të humbur gjatë viteve të ofensivave ushtarake, duke përfshirë luftën e rrethimit të cilësuar si “mesjetare” nga hetuesit e OKB-së.
Me kundërshtarët e tij të kufizuar, kryesisht në një cep të Sirisë veriperëndimore, ai siguroi disa vite qetësie relative, megjithëse pjesë të mëdha të vendit mbetën jashtë kontrollit të tij dhe ekonomia e Sirisë u prangos nga sanksionet ndërkombëtare.
Assad rivendosi lidhjet me shtetet arabe që dikur e shmangnin, por mbeti pa mbështetje nga pjesa më të madhe të botës dhe kurrë nuk arriti të ringjallte shtetin e shkatërruar sirian, ku forcat e armatosura të të cilit u tërhoqën me shpejtësi përballë përparimeve rebele.
Ai nuk ka dhënë asnjë reagim publik që kur kryengritësit pushtuan Aleppon një javë më parë, por, në një telefonatë me presidentin e Iranit, tha se përshkallëzimi synonte të rikthehej në rajonin për interesat perëndimore, duke i bërë jehonë pikëpamjes së tij për revoltën, si një komplot të mbështetur nga jashtë.
Duke justifikuar përgjigjen e tij ndaj kryengritjes në fazat e hershme të saj, Assad e krahasoi veten me “një kirurg. “A i themi: Duart e tua janë të gjakosura? Apo e falënderojmë për shpëtimin e pacientit?” kishte deklaruar ai në vitin 2012.
Në fillim të konfliktit, ndërsa rebelët pushtuan qytet pas qyteti, Assad ushqeu besim.
“Ne do t’i godasim me një grusht të hekurt dhe Siria do të kthehet siç ishte,” u tha ai ushtarëve, pasi mori përsëri qytetin e Maaloula, më 2014.
Ai e mbajti zotimin e parë, por jo të dytin. Vite më vonë, pjesë të mëdha të Sirisë mbetën jashtë kontrollit të shtetit, qytetet u rrafshuan, numri i të vdekurve arriti në 350.000 dhe më shumë se një e katërta e popullsisë kishte ikur jashtë vendit./rtk
Kore e Jugut, ministri i Financave merr detyrën si president...
Kurti për Aeroportin e Prishtinës: Gjatë këtij viti është dy...
Reduktime deri në 12 orë, kush është fajtori për mungesën e ...
Të paktën 69 të vdekur pasi një varkë u fundos në ujërat e M...
Rama takon mulla Hetem Sopjanin, shpreh falënderim për kontr...
Telekomi i Kosovës 2024: Rritje dhe stabilitet financiar për...