Veliaj, medalje mirënjohjeje për sportistët e SK Tiranës, Esmeralda Novruzaj dhe Alban Beqiri

12:56 | 8 Dhjetor 2024
E.G

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nderoi me medalje mirënjohjeje dy kampionët e rinj në boks, pjesë e Sport Klub Tiranës: Esmeralda Novruzaj, fituese e medaljes së bronzit në Kampionatin Evropian të Boksit U23, dhe Alban Beqirin, kampion boksi në Ballkan.

Në fjalën e tij, Veliaj i falënderoi sportistët për kontributin e jashtëzakonshëm në ngritjen lart të emrit të Tiranës dhe të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare. “Unë e di që ju keni shumë medalje, por do të doja shumë që në atë murin tuaj të medaljeve të bashkohej edhe medalja e mirënjohjes e Bashkisë së Tiranës dhe Sport Klub Tiranës, së pari, sepse ju kemi tanët dhe se po vjen një frymë e re, një frymë shumë e mirë për Sport Klub Tiranën”, tha Veliaj.

Duke e cilësuar Sport Klub Tiranën si një qendër të re të zhvillimit të talenteve, Veliaj u shpreh krenar për sportistët dhe trajnerët, të cilët i kanë dhënë një shtysë më të madhe zhvillimit të sportit.

“Jemi shumë krenarë për arritjet tuaja! Esmeralda, ti ke treguar kurajë dhe forcë, ndërsa Albani ka fituar medalje në një kampionat shumë të vështirë, me kundërshtarë të fortë. Kemi filluar të shohim rezultate të mëdha dhe ky është vetëm fillimi. Medalja e mirënjohjes së qytetit është një mënyrë për t’ju thënë se nuk ju harrojmë, që e dimë se po punoni shumë fort. Sa herë që ngrihet ai flamur, flamuri më i bukur në botë, dhe sa herë që përmendet klubi ynë, sjell një krenari të jashtëzakonshme për vendin tonë, për kombin dhe për qytetin tonë”, tha ai.

Kryebashkiaku theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive më të mira për trajnime dhe gara ndërkombëtare për sportistët shqiptarë.

Dy sportistët dhe trajneri i tyre, Seat Bushati, falënderuan kryetarin për mbështetjen, ndërsa premtuan suksese të tjera në të ardhmen. “Dua të falënderoj shumë trajnerin tim, Albanin, gjithashtu edhe kryetarin, për këtë mbështetje dhe për këtë vlerësim. Ka qenë me të vërtetë një emocion shumë i bukur, mezi pres që të sjell medalje të tjera”, tha Novruzaj.

/RTSH/

Të ngjashme