Google ADS

Vrau bashkëkombësin, gjykata në Britani dënon shqiptarin me burgim të përjetshëm

19:13 | 7 Dhjetor 2024
Q L

Kozma Papa, 22-vjeçar, është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëkombësit të tij, Beldi Petraj në Britani të Madhe, pasi ky i fundit refuzoi shtrëngimin e duarve të tij, është thënë në gjykatë.

Papa, nga Cheltenham, Gloucestershire ka pranuar më parë vrasjen, duke e therë me thikë 13 herë Petrajn në Southgate, në veri të Londrës, më 4 shkurt.

Gjatë dënimit të tij të premten, gjyqtari Mark Lucraft KC e përshkroi sulmin si një “konfrontim të dhunshëm” që ndodhi pasi Petraj, 37 vjeç, nga Essex, e injoroi atë, raporton BBC,.

Papa u urdhërua të vuante një minimum prej 20 vjetësh dhe gjithashtu iu dha një dënim i njëkohshëm prej nëntë muajsh për posedim të një arme me tehe.

Gjatë gjyqit, gjykatës iu tha që të dy burrat njiheshin më parë me njëri-tjetrin dhe ata ishin përfshirë në një përleshje në një kafene më herët atë ditë.

Të dy më pas shkuan në rrugën “Queen Elizabeth” afërsisht 45 minuta më vonë, secili me thika të mëdha.

“Të dy ata godasin njëri-tjetrin”, i tha gjykatës avokati i prokurorisë Julian Evans KC, përpara se Petraj të humbiste kontrollin e thikës së tij dhe Papa ta merrte atë.

Papa më pas u sul “me nga një thikë në secilën dorë” drejt Petrajt, i cili i kishte rënë në shpinë dhe filloi ta godiste vazhdimisht me thikë, tha avokati.

Petraj vdiq në spital nga plagët e marra atë pasdite.

Ditëlindjet “të mbushura me lot”

Në një deklaratë në mbrojtje të viktimës, motra e Petrajt tha: “Zgjohem në mëngjes, duke u përpjekur të bind veten se ishte thjesht një makth”.

“Nuk mund të festojmë më. Çdo ditëlindje familjare është e mbushur me lot sepse Bledi mungon”, tha ajo.

Prindërit e tij shtuan se Petraj ishte “në vendin e gabuar në kohën e gabuar, duke u përballur me një përbindësh me thikë në dorë, duke goditur pa mëshirë”.

Në deklaratën e tij mbrojtëse, Papa pranoi disa përfshirje të mëparshme në tregtimin e drogës.

Avokati i tij Tyrone Smith KC argumentoi se kishte një “sfond armiqësie” midis dy burrave, por Papa bëri “përpjekje … për të nxjerrë veten” nga përleshja.

Duke iu drejtuar Papës, gjyqtari Lucraft KC tha se ai pranoi se i pandehuri ishte penduar dhe shtoi: “Ata që ju njohin janë të tronditur që keni qenë i përfshirë në një dhunë kaq të rëndë”.

Gjykata dëgjoi se Papa është një shtetas shqiptar i cili hyri ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në shtator 2022. Ministria e Brendshme ka tërhequr kërkesën e tij për azil. /Klankosova.tv

Të ngjashme