Kurti në Sarajevë: BeH duhet sa më parë të rafitikojë marrëveshjen për letërnjoftimet me Kosovën

16:18 | 6 Dhjetor 2024
R J

 Takimet zyrtare në Sarajevë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i vazhdoi me zëvendëspresidentin e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, gjeneralin Refik Lendo, me të cilin diskutuan rreth marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe rreth mundësive për shtim dhe thellim të bashkëpunimit.

Kryeministri Kurti e falënderoi zëvendëspresidentin Lendo për mikpritjen e institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës në Sarajevë. E njoftoi atë për përgatitjet që institucionet e Republikës së Kosovës po bëjnë për fillimin e zbatimit të marrëveshjes së Procesit të Berlinit për lëvizje me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës në drejtim të Kosovës, duke filluar nga 1 janari 2025. Ai theksoi rëndësinë që edhe Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë sa më parë këtë marrëveshje ashtu që të filloj zbatimi i saj nga të dy palët.

Zëvendëspresidenti Lendo falënderoi kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për vendimin në lidhje me lëvizjen e lirë me letërnjoftime dhe shprehu shpresën që edhe vendi i tij të zbatojë masë reciproke për qytetarët e Kosovës në një të ardhme të afërt.

Përgjatë bisedës, u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional në arritjen e objektivave të përbashkëta sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, dhe për instrumente dhe platforma të përbashkëta që do të mundësonin rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, kulturës, arsimit dhe sigurisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme