Google ADS

Rama: Nuk do të lejojmë që pastrimi i kryeqytetit të sabotohet për arsye politike

16:53 | 4 Dhjetor 2024
R J

Punëtorët e Kompanisë “Pastrimi”, kanë protestuar sot para Komunës së Prishtinës. Ata kanë kërkuar anulimin e tenderit, për të cilin kanë thënë se e falementon këtë kompani..

E lidhur me këtë ka reaguar kryetari I Komunës së Prishtinës Përparim Rama. Ai ka thënë se nuk do të lejojnë që pastrimi i kryeqytetit të sabotohet për arsye politike.

“Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” nuk do të mbeten pa punë, dhe qytetarët e kryeqytetit nuk do të mbeten pa shërbimin e grumbullimit të mbeturinave.  Për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të kompanisë “Pastrimi” për të përmbushur nevojat e kryeqytetit, që nga muaji maj kemi angazhuar operator privat, për të garantuar shërbime cilësore të merituara për qytetarët. Angazhimi i operatorit privat dhe furnizimi i Kryeqytetit me kontenierë të rinj kanë përmirësuar dukshëm menaxhimin e mbeturinave”, ka thënë Rama.

Pavarësisht këtyre përmirësimeve, Rama ka thënë se asambleistët opozitarë po bëjnë përpjekje për të ndryshuar rregulloren që do të pamundësonte ofrim-shërbimin nga operatorët privatë.\

Një vendim i tillë sipas tij do të rikthente problemet e mëparshme me mbeturinat, duke rrezikuar shëndetin publik dhe cilësinë e jetesës në Kryeqytet.

“Shprehim keqardhje për politizimin e këtij shërbimi thelbësor. Penalizimi i qytetarëve për arsye politike është johuman dhe i papranueshëm. Përhapja e dezinformatave se punëtorët do të mbeten pa punë është një përpjekje e ulët për të krijuar frikë dhe panik.  Angazhimi i operatorit privat ishte dhe mbetet një mbështetje për kompaninë “Pastrimi” dhe jo një zëvendësim i saj. Kështu, do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen”, ka thënë Rama.!

Të ngjashme