Me një vendim për intervistimin e dëshmitarëve nisi seanca e sotme gjyqësore në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Trupi gjykues urdhëron si më poshtë: dëshmitarët e mbrojtësit të viktimave do të thirren pasi të përfundojnë dëshmitarët e ZPS-së dhe pasi të jenë nxjerrë parashtrimet, argumentet dhe vendimi që ka të bëjë me parashikimet e Rregullës 130 dhe përpara se të fillojnë dëshmitarët e mbrojtjes”, tha Charles Smith III, kryetar i trupit gjykues.
Pas kësaj, vazhdoi dëshminë Sokol Bashota, i cili u pyet nga prokuroria për intervistën që i kishte dhënë Tribunalit të Hagës në vitin 2006 lidhur me pretendimet për vrasjen e bashkëpunëtorëve serb.
“Pse nuk thatë gjatë pesë orëve që iu bëra unë pyetje dhe ju bëra edhe shumë pyetje për dëshminë që keni dhënë për TPNJ-në për bashkëpunëtorët, pse nuk thatë që situatat janë thjesht hipotetike?, tha Matt Halling, prokuror.
“Nuk janë të gjitha situatat hipotetike në atë deklaratë, por një pjesë e pyetjeve dhe përgjigjeve kanë qenë hipotetike. Nuk ma parashtruat atë pyetje nëse kanë qenë ose jo gjatë atyre pesë orëve, prandaj edhe unë ka mundësi që nuk më ka shkuar ndërmend që mundem me e thanë atë”, u përgjigj Sokol Bashota.
Ajo që i keni thënë mbrojtjes së Thaçit në 2022 për situatën me bashkëpunëtorët që ishte thjesht hipotetike, a mos ishte diçka që Thaçi donte t’ia thoshit ekipit të tij të mbrojtjes, pyeti prokurori.
“Ekipin e mbrojtjes së Thaçit e kuptoj si pjesë përbërëse të kësaj gjykate dhe nuk kom menduar që duhet të tregoj se kam diskutuar edhe me të. Ja kam bërë një pyetje mbrojtjes së Thaçit kur më kanë ftuar nëse kjo është brenda kuadrit ligjor të kësaj gjykate dhe mund t’iu përgjigjem ma thoni ju, ata më kanë dhënë garanca që mundesh me fol çka din”, tha Bashota.
Pikërisht kjo situatë e nxiti mbrojtjen e Kadri Veselit, Rodney Dixon të thotë se prokuroria po e cilëson dëshmitarin të anshëm.
“A keni ardhur këtu në gjykatë për të qenë dëshmitar i anshëm dhe për të dhënë dëshmi në favor të ndonjë të akuzuari pavarësisht si ka qenë e vërteta”, tha Rodney Dixon, avokat i Kadri Veselit.
“Unë jam shumë i vetëdijshëm për përgjegjësitë e mia juridike dhe penale dhe absolut nuk kam ardhur këtu për ta mbrojtur asnjë kauzë pos të vërtetës dhe vetëm të vërtetës, konform betimit që kam dhënë”, u përgjigj Bashota.
Dëshmitari tutje foli për komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja gjatë luftës, për të cilat tha se ai nuk e kishte shkruar asnjë prej tyre.
“Personalisht kurrë nuk jam interesuar me e ditë dhe nuk e di. Nuk jam marrë me to dhe thash që e kam heq herët mendjen për shkrimin e atyre komunikatave dhe nuk ka qenë punë që unë mund e bëj dhe realisht kurrë nuk kam pyetur për to se kush po i bën dhe kur po i bën, a po bëhen në Kosovë apo po bëhen jashtë. Unë informacion për këtë nuk kam dhe nuk mundem me marrë përgjegjësi me e ngarkuar dikën për të cilën nuk e di”, tha Bashota.
Në pyetjen e gjyqtarit Christoph Barthe se kush i shkruante deklaratat politike ose deklaratat e tjera në emër të Shtabit të Përgjithshëm gjatë asaj periudhe.
“Unë nuk e di saktë këtë por ka pas kompetenca, ka pas të drejtë me bë deklarata edhe komunikata më duket, edhe prej zyrës së zotit Demaçi. Për çështje të takimeve të ndryshme ndoshta ka mundur, për nuk e di dhe nuk jam i sigurt, si drejtor i Drejtorisë Politike, zoti Thaçi. Por, nuk e di saktë nëse ka mundur me e shkru ndonjë me autorësi të veten apo jo. Këtë nuk e di”, tha Bashota./rtk
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...