Google ADS

Nga një muaj arrest shtëpiak për avokaten Sheholli dhe përmbaruesin privat Islami

18:48 | 3 Dhjetor 2024
R J

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh për avokaten Shemsije Sheholli dhe përmbaruesin privat, Isak Islami (secilit veç e veç).

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sheholli dyshohet për “Ushtrim ndikimi”, kurse Islami për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka marr vendim dhe ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit si të pa bazuar.

“Konform nenit 182 paragrafi 5 të KPPRK, gjykata mund të caktoj masën më të rëndë – Paraburgimin, nëse të pandehurit nuk e respektojnë masën e arrestit shtëpiak. Detyrohet Policia e Kosovës që të verifikojnë zbatimin e kësaj mase dhe në rast të mosrespektimit të saj, të informojnë Prokurorinë dhe Gjyqtarin e Procedurës Paraprake të kësaj gjykate”, thuhet në njoftim.

Gjykata vlerëson se e caktimi i masës së arrestit shtëpiak për të pandehurit e lartcekur është masë e mjaftueshme për të siguruar mbarëvajtjen e procedurës penale në këtë çështje penale, për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, në parandalimin e ndikimit tek i dëmtuari apo dëshmitarët, e gjithashtu edhe në përsëritjen e veprës penale, andaj gjykata vlerësoj se edhe me shqiptimin e masës së arrestit shtëpiak, do të arrihet i njëjti qëllim që do të arrihej edhe me masën e paraburgimit.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar caktimin e paraburgimit, por kjo masë është refuzuar nga Gjykata.

Avokatja dhe përmbaruesi u arrestuan të hënën (2 dhjetor) pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi”- “Dyshimet për pazarllëqe me lëndë në emër të gjykatësve”, të publikuar më 22 qershor 2024.

Në kërkesën e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura Shemsije Sheholli, në cilësinë e avokates dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar Besim Sopi, i cili ishte në cilësinë e paditësit në kontest civil, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për veten, më 15 gusht 2023, kërkon drejtpërdrejt shumin prej 25 mijë nga i dëmtuari Sopi.

Të ngjashme