Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, shpalli të martën vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, në një fjalim të befasishëm televiziv para kombit natën vonë, duke vënë në shënjestër kundërshtarët politikë vendas dhe duke tronditur vendin.
Presidenti Yoon tha se partitë opozitare kishin marrë peng procesin parlamentar. Ai u zotua të çrrënjosë “forcat e paturpshme anti-shtetërore pro-koreane të Veriut” dhe tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të merrte masën për të mbrojtur rendin kushtetues.
Agjencia e lajmeve Yonhap citoi ushtrinë të thoshte se aktivitetet e parlamentit dhe partive politike do të ndaloheshin dhe se mediat dhe botuesit e tyre do të ishin nën kontrollin e komandës së ligjit ushtarak.
Zoti Yoon nuk përmendi ndonjë kërcënim konkret nga Koreja e Veriut që ka armë bërthamore, duke u përqendruar tek kundërshtarët e tij politikë të brendshëm.
Është hera e parë që nga viti 1980 që shpallet ligji i jashtëzakonshëm ushtarak në Korenë e Jugut.
Paraardhësi i zotit Yoon, Moon Jae-in i Partisë Demokratike, tha në një postim në rrjetin X se demokracia e vendit është në krizë.
“Shpresoj që Asambleja Kombëtare të veprojë shpejt për të mbrojtur demokracinë tonë nga rrënimi”, shkruante ai në një postim.
“I kërkoj popullit të bashkojë forcat për të mbrojtur dhe shpëtuar demokracinë dhe për të ndihmuar Kuvendin Kombëtar të funksionojë normalisht”.
Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me qeverinë e Koresë së Jugut dhe po monitorojnë situatën nga afër, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
Rreth 28,500 trupa amerikane janë vendosur në Korenë e Jugut për t’u mbrojtur kundër Phenianit. Një zëdhënës i komandës ushtarake amerikane nuk i është përgjigjur kërkesave për koment./voa/
Haradinaj prezanton kandidatët për deputetë nga Lipjani: Bas...
Rruga që lidh Deçanin me Gjakovën drejt asfaltimit
Robin Le Normand tejkalon lëndimin në tru
“Pse je në siklet me mua?” Sara-Drilonit
Anisa-Xhenetës: Askënd nuk e kam ofenduar, as s’kam prekur n...
Ndalohet “Mora Fjalë” në stadium, Shkurte Fejza dhe Lorik Ca...