Google ADS

“Gjithçka kombëtare e punoj me kënaqësi”, njihuni me punimet nga druri të 53 vjeçarit nga Vushtrria

14:08 | 3 Dhjetor 2024
L G

Në një punishte të vogël shumë afër shtëpisë së tij në Vushtrri, Fatos Krasniqi jetëson imagjinatën e tij në punime druri.

14 vjet më parë, Fatos Krasniqi zbuloi krejt rastësisht talentin e tij për punime me dru, raporton Arbresh.info.

Pjesa më e madhe e punimeve të tij kanë motive kombëtare, e ajo të cilën e bën më shpesh e më me qejf, është simboli i kombit shqiptar, shqiponja dy krenare, Adem Jashari, por edhe Skënderbeu.

Këto janë edhe punimet të cilat kërkohen më së shumti, thekson ai.

Për shqiponjën me madhësi 1 metra, Krasniqi thotë se i janë dashur 15 orë punë, punim ky i cili sipas tij kushton 150 deri në 200 euro.

“Gjithçka që është kombëtare e du, e punoj me shumë kënaqësi, nuk i pritoj”. Talentin ka qenë goxha rastësi, i ka nja 13-14 vjet dhe qysh prej asaj kohe kam fillu dalë-ngadalë me do punime më të lehta, deri në më të sofistikume pas një kohe”, tregon Krasniqi për Arbresh.info.

Punën e tij ai e promovon në Facebook, mirëpo thotë se nuk është burimi kryesor i të ardhurave.

“Kjo punë është më shumë si hobi, sepse financiarisht nuk kam kapacitet me punu, nuk m’lejon koha me arrit atë maksimumin me pas të ardhura të mira”, thotë ai.

Sipas tij, vihet re një rritje e lehtë e interesimit për këto punime në kohën e festave të nëntorit, mirëpo interesimi më i lartë, siç tregon ai, është gjatë verës, kjo për shkak të mërgimtarëve.

“Punimet e mia janë të gjitha artizanale, kurrgjë nuk është e kryer me makineri, me djegie, të gjitha i punoj me dorë. Janë punime dru të plotë, i punoj të gjitha drurët që janë më të fortë, nuk i pritoj punës, edhe dimrit vij këtu i kaloj këtu edhe kënaqna”, shprehet ai.

Në fund ai uroi të gjithë shqiptarët kudo që janë për festën e 28 Nëntorit. /Arbresh.info/Erolinda Gashi/

Të ngjashme