Google ADS

Kurti: Hetimet për sulmin në Ibër-Lepenc janë në vazhdim, do të publikohen detaje për përfshirjen e akterëve të huaj

18:05 | 2 Dhjetor 2024
E.G

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka reaguar sërish ndaj sulmit në  kanalin e Ibër-Lepencit.

Me anë të një postimi në “X”, ai ka ngritur shqetësime për përfshirjen e aktorëve të huaj në këtë incident, shkruan Arbresh.info.

Sipas tij, të arrestuarit janë të lidhur me organizatën “Mbrojtja Civile,” e cila financohet dhe mbështetet nga Beogradi.

Kryeministri Kurti ka theksuar se armët dhe eksplozivët e sekuestruar përfshinin shenja ushtarake që lidhen kryesisht me forcat serbe dhe ruse, duke përmendur veçanërisht Forcat Ajrore Ruse (VDV).

“Shumica dërrmuese e tyre i përkisnin Forcave të Armatosura Serbe dhe Ruse, si Forcave Ajrore Ruse (VDV). Lidhjet e personave të arrestuar me organizatën terroriste “Mbrojtja Civile” e sponsorizuar nga Beogradi tregojnë praninë e aktorëve të huaj”, ka shkruar ai.

Shefi i qeverisë gjithashtu rikujtoi aktivitetet paramilitare serbe në veri të Kosovës vitin e kaluar dhe sponsorizimin e vazhdueshëm të krimit nga Serbia si një faktor kryesor destabilizues.

“Natyrisht, ngjarjet terroriste nuk ndodhin në vakum. Në këtë kontekst, inkursioni paraushtarak i Serbisë vitin e kaluar dhe sponsorizimi i vazhdueshëm i krimit përmes metodave të ndryshme në veri të Kosovës lë pak hapësirë ​​për spekulime”, u shpreh Kurti.

Mes të tjerash ai theksoi se hetimet janë ende në vazhdim dhe se do të publikohen detaje të mëtejshme për përfshirjen e aktorëve të huaj.

“Megjithatë, hetimi është në vazhdim, dhe detaje të mëtejshme – së bashku me numrin e palëve të huaja të përfshira – do të zbulohen”, ka shkruar Kurti./Arbresh.info/

Të ngjashme