Google ADS

Situata në Ibër Lepenc, Rizvanolli: Mund të ketë reduktime të ujit gjatë ditës së sotme

10:04 | 2 Dhjetor 2024
E.H

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka treguar për gjendjen në kanalin e Ibër Lepencit pas sulmit të 29 nëntorit.

Me anë të një postimi në Facebook, Rizvanolli ka njoftuar se për shkak të zgjidhjes së re inxhinierike, komunat që furnizohen me ujë nga Ibër-Lepenci mund të kenë reduktime gjatë ditës së sotme, përcjell Arbresh.info.

“Të dashur qytetarë, Për shkak të rrjedhjeve të ujit në pjesën e kanalit që është dëmtuar nga sulmi terrorist, për të ruajtur sigurinë e kanalit, ka qenë e domosdoshme të bëhet zgjidhje e re inxhinierike. Për të realizuar punët në kanal, furnizimi i kanalit me ujë është ndërprerë mbrëmë në mesnatë. Si rrjedhojë, komunat që furnizohen me ujë nga Ibër Lepenci mund të kenë reduktime gjatë ditës së sotme”, ka njoftuar Rizvanolli.

“Intervenimet në kanal sapo kanë përfunduar dhe furnizimi i kanalit me ujë ka rifilluar, ndërsa nivelet e ujit në Termocentralin Kosova B janë monitoruar dhe kanë qenë të mjaftueshme përgjatë gjithë kohës. Sikurse edhe gjatë dy ditëve të kaluara, prioritet i parë do të mbetet furnizimi i mjaftueshëm i termocentralit me ujë për ftohje, për të zgjeruar pastaj furnizimin për KRU-të sa më herët që është e mundshme. Qytetarët inkurajohen të ndjekin njoftimet e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit për informata të sakta rreth furnizimit me ujë”, tha Rizvanolli.

Ndër të tjera, Rizvanolli ka falënderuar ekipin e Ibër Lepencit dhe kontraktorin për punën në kanal, ministrit Xhelal Sveçla dhe zëvendësministrit Hysen Durmishi që sipas saj e kanë përcjell nga afër punën në terren gjatë gjithë natës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme