Google ADS

Shkup, arrestime e reagime pas një incidenti me flamurin maqedonas

17:50 | 29 Nëntor 2024
E.G

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ka arrestuar tetë persona lidhur me djegien e flamurit shtetëror, që nxiti reagime në shkallë të gjerë.

Incidenti ndodhi në lagjen Bit Pazar të komunës së Çairit në Shkup, gjatë kremtimeve me rastin e 112 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, që shqiptarët e kremtojnë edhe si festën e Flamurit Kombëtar.

Ministria e Brendshme tha se në mesin e të arrestuarve është një i mitur ndërsa të tjerët janë nga 18 deri 21 vjeç. Katër prej tyre dyshohen për veprën “nxitje e urrejtjes ndëretnike, racore dhe fetare, dhe grindje e mosdurim”, e dënueshme deri në një vit heqje lirie.

Pamjet e transmetuara në rrjetet sociale të incidentit nxitën reagime të ashpra të partive politike në vend.

VMRO-DPMNE në pushtet bëri thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë, ndërsa vlerësoi se, siç thuhet, ngjarja ka prapavijë politikë dhe kishte për qëllim nxitjen e ndarjeve dhe tensioneve etnike.

Lidhja Social Demokrate në opozitë, akuzoi pushtetin dhe Ministrin e Rendit, Pançe Toshkovski për “mungesën e veprimeve për parandalim, kontroll dhe të ndërhyrjes së shpejtë për pengimin e incidenteve”, ndërsa kërkon dorëheqjen e ministrit. Edhe koalicioni VLEN i partive shqiptare, që është pjesë e qeverisë, e dënon incidentin ndërsa akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim se në këtë mënyrë po përpiqet “ta destabilizojë vendin”.

Ndërkohë partitë shqiptare të opozitës, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, duke e dënuar incidentin, njoftuan për një incident të djegies së flamuri shqiptar dhe shprehën shqetësim për, siç thanë, “qasjen selektive dhe të njëanshme të policisë”, e cila ka marrë masa vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë të përfshirë në incidente.

BDI thotë se ishte policia ajo që nxiti incidentin duke bllokuar rrugët dhe ndaluar pjesëmarrjen e shqiptarëve në festën e mbrëmshme në sheshin Skënderbe të Shkupit./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme