Google ADS

Federata Evropiane e Gazetarëve pezullon llogarinë në platformën X të Muskut

22:58 | 28 Nëntor 2024
E.H

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) ka vendosur që të mos publikojë më përmbajtje në platformën e medias sociale të Elon Musk, X, nga data 20 janar e vitit 2025, kur Donald J. Trump do të bëhet zyrtarisht presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Si shumë media evropiane (The Guardian, Dagens Nyheter, La Vanguardia, Ouest-France, Sud-Ouest, etj.) dhe organizata gazetarësh, siç është Shoqata e Gazetarëve Gjermanë (DJV), EFJ konsideron se nuk mund të marrë më pjesë në një rrjet social që pronari i tij e ka transformuar në një makinë dezinformate dhe propagande.

“Pas zgjedhjeve amerikane, EFJ vuri në dukje kërcënimin për demokracinë dhe lirinë e shprehjes që paraqet bashkëpunimi mes presidentit të vendit më të fuqishëm në botë, Donald J. Trump, dhe njeriut më të pasur në botë, Elon Musk, i cili është gjithashtu pronar i rrjetit social X dhe është emëruar për të drejtuar një “Departament të Efikasitetit të Qeverisë” (DOGE) kur Donald J. Trump të marrë detyrën si president më 20 janar 2025”, thuhet në njoftim.

Menjëherë pas zgjedhjes së Trumpit, Elon Musk, i cili ka qenë aktiv në politikën amerikane si një mbështetës i zëshëm dhe financues i fushatës së Trumpit, tha se mediat tradicionale janë të vdekura, duke pretenduar se “shumica e mediave tradicionale kanë gënjyer publikun pa ndërprerë”.

“Ne nuk mund të vazhdojmë të marrim pjesë në ushqimin e rrjetit social të një njeriu që shpall vdekjen e mediave dhe për rrjedhojë të gazetarëve”, tha presidentja e EFJ, Maja Sever.

“Faqja e mediave sociale X është bërë vektori i preferuar për teori konspirative, racism, ide të ekstremit të djathtë dhe retorikë mizogjiniste. X është një platformë që nuk i shërben më fare interesit publik, por interesave të veçanta ideologjike dhe financiare të pronarit të saj dhe aleatëve të tij politikë”, shkruan më tutje.

“Evolucioni editorial i X, që pas përvetësimit të tij nga Elon Musk, është thjesht në kundërshtim me vlerat tona humaniste, angazhimin tonë për lirinë e shtypit dhe pluralizmin mediatik, dhe luftën tonë kundër të gjitha formave të urrejtjes dhe diskriminimit. Vendimi për të pezulluar llogarinë tonë @EFJEUROPE na u duk i qartë dhe i ftojmë të gjithë anëtarët tanë dhe të gjitha organizatat që mbrojnë lirinë e shprehjes të migrojnë në platforma të tjera”, shtoi Sekretari i Përgjithshëm i EFJ, Ricardo Gutiérrez. /Telegrafi/

Të ngjashme