Kurti uron Shqipërinë: 28 Nëntori na bashkon të gjithë shqiptarëve

12:43 | 28 Nëntor 2024
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar festën e 28 Nëntorit, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Nga Vlora, Kurti thotë se kjo datë bashkon të gjithë shqiptarët, dhe forcon ndërgjegjen e krenarinë kombëtare, shkruan Arbresh.info.

Kurti bashkë me homologun e tij shqiptar, Edi Ramën, presidentin Bajram Begaj e kryeparlamentaren Elisa Spiropalin festuan këtë ditë kremte.

“28 Nëntori na bashkon. 112 vjet më parë, në Vlorë shqiptarët u bënë bashkë. Idealet, parimet dhe synimi për arritjen e pavarësisë së Shqipërisë, ishin ç’ka bashkuan mendimtarë e veprimtarë patriotë të kombit më 28 Nëntor 1912. Na lanë një trashëgimi historike e detyrë kombëtare, që atdheun ta duam, ta mbrojmë, ta përparojmë. Sot e festojmë atë ditë, me shumë herë më pak vuajtje sesa në të kaluarën. E kemi më të lehtë sot të bëhemi bashkë, e të jemi bashkë. Sepse duhet të qëndrojmë bashkë. Për sa më shumë zhvillim e demokraci, mirëqenie e prosperitet për qytetarët tanë në Kosovë e në Shqipëri”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Këtë 28 Nëntor, me presidentin Begaj, kryeministrin Rama, kryeparlamentaren Spiropali e shumë miq e personalitete, e festuam në Vlorën e Pavarësisë, në qytetin që shënoi themelimin e shtetit shqiptar. Dita e sotme e forcon tek të gjithë shqiptarët, ndërgjegjen dhe krenarinë kombëtare. Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit!”, ka shtuar ai./Arbresh.info/

Të ngjashme