Dy klube kosovare reagojnë ashpër ndaj gjyqtarëve

20:44 | 27 Nëntor 2024
D.H

Gjatë ditës së sotme është mbyllur faza vjeshtore e kampionatit në Ligën e Parë të Kosovës, në të dyja grupet.

Drenica e cila është liderë i grupit A, është mposhtur nga Liria me rezultat 3-2 në Prizren, shkruan Arbresh.info.

Teksa pas ndeshjes drenicakët kanë reaguar ashpër ndaj gjyqtarëve në rrjetin social Facebook.

Në komunikatën e gjatë të klubit të drejtuar nga Bylbyl Sokoli, kanë kërkuar llogari për dy raste të cilat kanë mundur ta ndryshojnë fatin e kësaj sfide.

Teksa kanë paralajmëruar që më nuk do të kenë tolerancë as edhe për një “faull”.

“FC Drenica kërkon që këto vendime të analizohen me seriozitet nga organet përkatëse për të siguruar një trajtim të drejtë dhe të barabartë për të gjitha ekipet. Ka edhe disa raste të tjera diskutabile ku DRENICA është dëmtuar, dhe të cilat do t’i paraqesim pranë organeve përkatëse të FFK-së. Ju bëjmë me dije se DRENICA nuk do të tolerojë asnjë rast të padrejtë. Çdo vendim i gabuar, qoftë edhe një ‘faull’, do të trajtohet me seriozitet të plotë. Për këtë, të jeni të sigurt”, shkruhet ndër të tjera në reagimin e Drenicës.

Një tjetër skuadër e cila është ankuar është ajo e Dinamos së Ferizajt e cila u ndal me barazim 1-1 nga Flamurtari.

Dinamo kanë akuzuar asistentin e dytë Eris Sekiraqa, i cili në reagim thuhet se ia ka anuluar një gol të rregulltë.

“E nderuara Federata e Futbollit të Kosovës, të dashur sportdashës, sponsor, tifozë me anë të këtij postimi duam të reagojm ndaj referimit skandaloz nga asistenti i dytë Eris Sekiraqa në ndeshjen e sotme kundër KF Flamurtari. U dëmtuam rënd ku në golin e shënuar nga Daniel Tette vendos quditërisht për pozicion jashtë loje ku shihet pastërt se ishte në lojë disa metra larg pozitës jasht lojës. Ne e kuptojmë se mund edhe të gabohet por të gabohet kaq shumë kjo është shqetësuese jo vetëm për ne si klub por edhe për të gjithë futbolldashësit që duan të investojnë në futboll.  Shpresojmë dhe besojmë që FFK të merr masa ndaj këtij gjyqtari”, shkruhet në reagimin e Dinamos.

Kujtojmë se këto dy skuadra nuk janë të vetmet që akuzojnë gjyqtarët në Kosovë, pasi muajin e kaluar Feronikeli ’74 u tërhoq përkohësisht nga garat shkak i vendimeve të gjyqtarëve.

Gjithashtu edhe disa skuadra tjera janë ankuar edhe më parë për gjyqtarët./Arbresh.info

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme