Balluku: Tuneli i Murrizit drejt përfundimit, ndërtojmë rrugën që lidh Dibrën me Elbasanin

14:22 | 26 Nëntor 2024
E.G

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se, tuneli i Murrizit pjesë e Rrugës së Arbrit, është vepra më e komplikuar infrastrukturore që është drejt përfundimit, ndërsa po ndërtohet rruga që lidh Dibrën me Elbasanin, që do të shkurtojë ndjeshëm distancën mes qyteteve.

E pranishme në Bulqizë gjatë prezantimit të projektit për Parkun Tematik Retro “Divizioni”, një model inovativ i zhvillimit të turizmit, Balluku tha se, ky park falë dhe Rrugës së Arbrit është i aksesueshëm edhe për vizitorët nga Tirana.

“Kalova nga tuneli i Murrizit, një tunel, i cili është i derdhur i gjithi në hekur për shkak të burimeve ujore, ku volumet rriten çdo herë që ka prurje”, tha ajo.

Balluku bëri të ditur se punimet për këtë vepër po avancojnë me intensitet.

“Kam parë se sot kanë mbetur disa qindra metra për armatimin e gjithë këtij tuneli të hekurt dhe pas pak muajsh rruga nga Shkalla e Tujanit, deri te tuneli i Murrizit do të jetë gati për të vazhduar me të gjitha tunelet e Rrugës së Arbrit dhe pjesa e aksit Maqellarë- Peshkopi, që do të shkurtojë ndjeshëm rrugën”, theksoi Balluku.

Ajo vuri në dukje se vështirësitë gjeologjike në këtë projekt, që kanë shtyrë punimet, po keqpërdoren nga opozita.

“Ky projekt i rëndësishëm i infrastrukturës, kjo rrugë me gjeologji tejet të vështirë po përdoret nga opozita, në një kohë kur kjo vepër është në interes të qytetarëve dhe zhvillimit, që solli distancën Dibër – Tiranë në 1 orë e 10 minuta dhe ata nuk e bënë kurrë, ndërsa ne e bëmë realitet, pasi qeveria Rama nuk ndërton vetëm në jug, por kudo”, u shpreh ministrja.

Ajo tha se, sot qeveria Rama po ndërton rrugën e cila do ta lidhë Dibrën me Elbasanin, duke i dhënë një akses të ri zhvillimit të qarkut Dibër dhe bashkive Mat, Bulqisë dhe Klos.

Të ngjashme