Trajneri i Empolit i frikësohet një largimi të mundshëm të Ismajlit në janar

22:58 | 25 Nëntor 2024
D.H

Ardian Ismajli vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të skuadrës së Empolit dhe me paraqitjet e tij është kthyer në një nga emrat më të lakuar në merkaton e futbollistëve.

Ai po lavdërohet shumë për punën që po bën, ndërsa vetë trajneri i Empolit, Roberto D’Aversa, ka theksuar se në klub preferojnë të flasin pak për futbollistin.

Arsyeja nuk është se nuk e vlerësojnë, përkudnrazi, pasi i kanë besuar edhe shiritin e kapitenit në këto ndeshje.

Në klub i frikësohen faktit se sa më shumë që flitet për mbrojtësin shqiptar, aq më shumë rriten shanset që ai të largohet që në janar, pa pritur verën kur i mbaron kontrata.

“Ne vazhdojmë të flasim pak për Ismajlin, pasi ekziston rreziku që të mos e gjejmë mes nesh në janar”, tha ai, duke lënë të kuptohet se të gjithë zërat për interesimin e klubeve të mëdha të Serisë A për mbrojtësin nuk ishin të kota.

Ismajli edhe vetë ka pranuar në një konferencë për media pas ndeshjes së Shqipërisë me Ukrainën se ka interesim nga Juventusi./Arbresh.info

 

 

 

Të ngjashme