Google ADS

AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit të prokurorimit për menaxhimin e mbeturinave

17:16 | 25 Nëntor 2024
E.H

Rrjeti i OJQ-ve AVONET shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me inicimin e aktivitetit të prokurimit me titull: “Menaxhimi i mbeturinave”, me numër të prokurimit 616-24-11988-2-1-1, të inicuar nga Komuna e Prishtinës, në vlerë prej 16.5 milionë eurosh.

Gjatë monitorimit të kësaj procedure të tenderit, AVONET ka identifikuar se Komuna e Prishtinës, në cilësinë e Autoritetit Kontraktues, ka shkelur nenin 9, paragrafi 9.4 të Ligjit për Prokurim Publik, i cili e detyron çdo autoritet kontraktues të verifikojë nëse shërbimi i nevojshëm mund të ofrohet nga një autoritet tjetër publik përpara inicimit të një tenderi, transmeton Arbresh.info.

“Në këtë rast, Komuna e Prishtinës nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për të verifikuar nëse shërbimi i menaxhimit të mbeturinave mund të kryhet nga ndërmarrja publike, e në këtë rast nga KRM “Pastrimi”, e cila deri më tani ka kryer këtë shërbim në menaxhimin e mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës. Mosrespektimi i këtij detyrimi e bën inicimin e aktivitetit të prokurimit të kundërligjshëm. Komuna e Prishtinës duhet të i ofrojë KRM “Pastrimit” mundësinë e deklarimit nëse kanë kapacitet për shërbim të plotë, por jo të zhvilloj procedurë të hapur të aktivitetit të prokurimit, sepse KRM “Pastrimi” është kompani publike, ku Komuna e Prishtinës është pronare e 77.40% të aksioneve”, thuhet në reagimin e AVONET.

Ndër të tjera thuhet se Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportet e saj të fundit, ka evidentuar disa raste të ngjashme të mosrespektimit të dispozitave të Ligjit për Prokurim Publik, e konkretisht të nenit 9, paragrafi 9.4, nga autoritete kontraktuese të ndryshme, duke përfshirë mungesën e koordinimit me autoritetet publike ekzistuese.

AVONET kërkon që Komuna e Prishtinës të anulojë menjëherë këtë aktivitet të prokurimit, i cili bie ndesh me normat ligjore dhe të përmbushë detyrimet e saj ligjore, duke siguruar që të gjitha procedurat e prokurimit respektojnë standardet e ligjshmërisë dhe transparencës.

“Rrjeti i OJQ-ve AVONET mbetet i përkushtuar për të promovuar transparencën dhe respektimin e ligjit dhe do të vazhdojë të monitorojë dhe raportojë shkeljet në fushën e prokurimit publik, duke përdorur edhe mjetet juridike për të mbrojtur paranë publike”, thuhet në reagim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme