Hoti: Buxheti 2025 u miratua me dy shkelje ligjore, Zyra e Presidencës do duhej t’ia kthente Kuvendit këtë ligj

11:49 | 25 Nëntor 2024
E.G

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar pas miratimit të buxhetit për vitin 2025.

Me anë të një postimi në Facebook, ai tha se buxheti është miratuar me dy shkelje ligjore pa i adresuar nevojat kryesore dhe pa i trajtuar dhjetëra kërkesa buxhetore, shkruan Arbresh.info.

Sipas tij, Zyra e Presidencës do t’ia kthente Kuvendit këtë ligj për shqyrtim të tretë.

“1. Shkeljet ligjore lidhen me nenin 33, i cili e ndryshon ligjin e pagave duke e shtrembëruar strukturën hierarkike të pagave, si dhe me nenin 35 me të cilin ndryshohet ligji i tatimit në pronë. Të dyja këto raste mund të adresohen vetëm duke ndryshuar ligjet përkatëse.”, ka shkruar ai.

“2. Mosadresimi i nevojave kryesore buxhetore lidhet me buxhetimin e pamjaftueshëm të: (i) pagave, pensioneve dhe skemave sociale për shkak të inflacionit; (ii) projekteve kapitale që kanë mbetur në gjysmë për katër vite; (iii) skemës së sigurimeve shëndetësore, arsimit dhe shëndetësisë në përgjithësi; (iv) kontratës kolektive, për të cilën komunat po paguajnë përmes vendimeve përmbarimore; (v) ushtrisë për të përmbushur planin e avancimit të dakorduar me aleatët etj.”, shtoi Hoti.

“3. Në Komisionin për Buxhet kanë arritur dhjetëra kërkesa të organizatave buxhetore qendrore e lokale dhe nga deputetët. Përveç disa kërkesave të deputetëve të komuniteteve, të cilat janë miratuar pasi duket se ata deputetë e kanë kushtëzuar votën e tyre me miratimin e kërkesave të tyre, asnjë kërkesë tjetër nuk është miratuar. Mosmiratimi në veçanti i kërkesave të institucioneve të pavarura kushtetuese bie ndesh me parimin e pavarësisë kushtetuese të atyre institucioneve. Kurrë në historinë e shkurtër të shtetit të Kosovës nuk ka ndodhur të miratohet kështu buxheti pa asnjë konsideratë ndaj deputetëve dhe organizatave buxhetore.”, tha mes të tjerash deputeti Hoti.

Sipas tij, e mira është se ky mandat katastrofal sa i përket performancës buxhetore po mbaron, dhe se qeveria e ardhshme duhet me prioritet ta ndryshojë këtë buxhet.

“Buxheti prej 11.4 miliardë euro në këtë mandat qeverisës 2021-2024 është shpenzuar rreth 40% në subvencione. Dështimi kolosal është tek investimet kapitale, ku janë planifikuar 3 miliardë euro e janë shpenzuar vetëm 1.2 miliardë euro. Si rezultat, ekonomisë së Kosovës i mungojnë 1.8 miliardë euro.”, shtoi ai.

“Si rezultat i dështimit me buxhetin dhe mungesës totale të politikave fiskale, rritja ekonomike ka qenë më e ulëta në shumë vite. Rregullatorët ekonomik janë pasivizuar. Ka mungesë të dialogut me sektorin privat dhe sindikatat. Kushtet e të bërit biznes janë përkeqësuar. Është thelluar deficiti tregtar me rreth 2 miliard euro. Rreziqet fiskale nga ndërmarrjet publike mbesin të larta. Standardi i jetës është përkeqësuar pasi barra për buxhetin e familjeve është rënduar. Energjia është shtrenjtuar 117%. Nuk është ndërtuar asnjë kapacitet i ri energjetik. Në arsim u përkeqësuan rezultatet në testin PISA.”, shtoi deputeti opozitar.

Sipas tij, është e rëndësishme që në qeverinë e re fillimisht të kthehet ligjshmëria në shfrytëzimin e buxhetit, e mandej të planifikohet buxheti në përputhje me nevojat dhe prioritetet./Arbresh.info/

Të ngjashme