Hoti: Nuk do të lejoj të më njolloset emri, ministri Peci të kërkojë falje

11:45 | 25 Nëntor 2024
L G

Fahrije Hoti nga Kooperativa Bujqësore “Krusha” ka kërkuar nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, që të kërkojë falje për deklaratat e tij në lidhje me të.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, Hoti ka reaguar ndaj pretendimeve të ministrit Peci se ajo është paditur nga Ministria e Bujqësisë në vitin 2017.

“Unë nuk do të lejoj që të njolloset emri im”, tha Hoti, duke shtuar se ka nisur punën në kooperativë pa ndihmën e askujt.

“Kemi aplikuar për përkrahje, por jemi refuzuar. Deri më sot nuk kemi marrë asnjë ndihmë. Arsyeja ka qenë se nuk i kemi përmbushur kriteret,” sqaroi ajo.

Hoti theksoi se nuk dëshiron të akuzojë asnjë subjekt politik. Sa i përket pretendimeve të ministrit se ajo është paditur, ajo deklaroi se nuk ka marrë asnjë ftesë për t’u paraqitur në gjykatë. “Unë kërkoj nga ministri Peci që të kërkojë falje publike,” theksoi Hoti.

“Nga 2015 deri më 2024 nuk kemi marrë asnjë grant dhe nuk kemi qenë përfitues, përjashtim nga Bashkimi Evropian në kohë pandemie, aty kemi aplikuar pa a njohur askënd me të njëjtat dokumenta”, tha Hoti.

Në fund, ajo shtoi se ka rreth 50 punëtorë, paguan rregullisht taksat dhe nuk kërkon lëmoshë dhe se eksporton në disa shtete./rtk/

 

Të ngjashme