Bislimi: Kosova ka njohur progres ekonomik dhe demokratik, përkundër barrierave me të cilat jemi përballur

16:55 | 21 Nëntor 2024
E.G

Vizita e zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, në Poloni, filloi përmes një takimi me Kryetaren e Komitetit për Çështje të Bashkimit Evropian në Parlamentin e Polonisë Agnieszka Pomaska, zhvilluar në ndërtesën e Parlamentit të Polonisë.

Sipas njoftimit, së bashku biseduan mbi fuqizimin dhe thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, gjersa zëvendëskryeministri e falënderoi shtetin mik të Polonisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, shkruan Arbresh.info.

Ai veçoi mbështetjen në rrugëtimin tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian si dhe përkrahjen në anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Rreth rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së, zëvendëskryeministri theksoi avancimin dhe progresin e shënuar nga Kosova në katër vitet e fundit dhe synimin tonë për ecjen përpara në këtë proces, përmes marrjes së pyetësorit dhe rrjedhimisht statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në dritën edhe të Presidencës së ardhshme të Këshillit të BE-së që do ta kryesojë Polonia nga 1 janari 2025.

Zëvendëskryeministri potencoi se Kosova ka njohur progres ekonomik dhe demokratik, përkundër barrierave me të cilat jemi përballur. Trajtoi dhe punën e zhvilluar në kuadër të Planit të Rritjes, arritjen e liberalizimit të vizave dhe potencialin zhvillimor të vendit.

Nga ana e saj, znj. Pomaska shprehu mbështetjen e Polonisë ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe procesit të zgjerimit si dhe tha se Polonia e ka përkrahur Kosovën që nga pavarësia e saj dhe vijon ta bëjë këtë edhe sot.

Në vijim, u theksua synimi i përbashkët për fuqizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Polonisë dhe zgjerimi i fushave të bashkëpunimit. Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi shoqërohej dhe nga Shefi i Misionit të Kosovës në Poloni, ambasadori Drilon Gashi./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme